Trashëgimi

‘Butrinti shqiptar, jo grek!’. Pas letrës së Auron Tares për Muzeun Britanik, korrigjohet gabimi

Nga Gazeta Si - Pas një letre të studiuesit Auron Tare, për një gabim të Muzeut Britanik, ku në përshkrimin që shoqëronte një koleksion të vjetër monedhash, origjina e Butrintit konsiderohej si greke, vërejtja e tij është marrë në konsideratë dhe janë bërë korrigjimet e duhura.

Gjithashtu Auron Tare thotë se Muzeu britanik reagoi duke iu përgjigjur me një term të saktë dhe duke identifikuar origjinën e koleksionit të monedhave nga Butrinti si Buthrotum, Shqipëria moderne Epiri.

“Jam i lumtur të njoftoj vendimin e sotëm të Muzeut Britanik për të ndryshuar emrin e vendndodhjes së Butrintit nga Buthrotum Epirus Greece në Buthrotum Epirus Albania. Muzeu Britanik reagoi shpejt pas një letre që i dërgova Drejtorit të Përgjithshëm mbi saktësinë e terminologjisë së përdorur për të përshkruar Butrintin si qytet grek. Falë kuratorit të Departamentit të Monedhave dhe Medaljeve në Muzeun Britanik, z. Tom Hockenhull iu përgjigj me një term të saktë duke e vendosur saktë origjinën e koleksionit të monedhave që vinte nga Butrinti si Buthrotum, Shqipëria moderne Epiri”, shkruan Auron Tare në Facebook.

Tanimë, kur sot klikon në faqen e Muzeut Britanik, emri “Buthrotum” (Butrint), në përshkrimin që shoqëron një koleksion të vjetër monedhash jepet si një Park Antik në Shqipërinë Moderne (Buthrotum Epirus Vlorë/Albania).

Muzeu Britanik është një muze publik kushtuar historisë, artit dhe kulturës njerëzore, i vendosur në zonën Bloomsbury të Londrës.

Koleksioni i tij i përhershëm prej tetë milionë veprash është ndër më të mëdhenjtë dhe më gjithëpërfshirëset që ekzistojnë. Ai dokumenton historinë e kulturës njerëzore nga fillimet e saj deri në të tashmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë