Gazeta Si – Dy ditë pas fitores 3-1 në miqsoren me Bullgarinë, e luajtur në ‘Elbasan Arena’, trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, doli në një konferencë shtypi. Ai ka pohuar se disa lojtarë të grumbulluar e kaluan testin me sukses.
“Miqësoret janë shumë të rëndësishme para ndeshjeve kualifikuese që kemi në shtator me Armeninë dhe Rumaninë. Në krahasim me ndeshjet e kaluara, kishim marrë 9 lojtarë të rinj dhe ata u përshtatën shumë mirë me ekipin.

Futbolli do kohën e vet, por kur flasim për lojtarë të Kombëtares ata duhet të jenë gati, si këtë herë. Më dhanë përgjigjen e duhur. Kemi një grup shumë të fortë, kemi harmoni, dëshirë, lojtarët sakrifikojnë për njëri-tjetrin. Kjo është gjëja më e rëndësishme sot në futboll”, – tha fillimisht trajneri i Kombëtares U-21.
Bushi u shpreh po ashtu se skuadra që luajti me Bullgarinë është baza e Shqipërisë U-21 për kualifikueset: “Baza është pothuajse 99% kjo. Kemi informacione për lojtarë dhe mund të afrohen sërish të rinj, sepse kjo është Kombëtare dhe shqiptarë ka në të gjithë botën. Gjithsesi, mendoj se bërthama e grupit është kjo”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




