Nga Gazeta “SI”– Në vitet 1929–1935, çifti amerikan Burta dhe Elliott Taylor udhëtuan në Shqipëri, duke kontribuar në arsimin dhe dokumentimin e jetës shqiptare. Ata dhanë mësim dhe regjistruan me kamera traditat dhe zakonet e vendit, duke krijuar një koleksion të pasur të kostumeve tradicionale dhe filmimeve që ruajnë një Shqipëri të panjohur.
Përmes letrave dhe filmave, ata i dhanë botës një pamje të jetës shqiptare të asaj periudhe, duke ruajtur një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
Thuajse një shekull më pas falë artistit të arteve pamore, Shpend Bengu këto materiale të rralla , vinë të restaurura dhe të ekspozuara në COD Center, nën titullin “Shqipëria e bukur dhe primitive”.

Në prag të një epoke të re për Shqipërinë, në janarin e vitit 1922, qeveria shqiptare, e sapo dalë nga vështirësitë e fillimit të shtetformimit, i kërkonte ndihmë Kishës Metodiste Episkopale Amerikane, për të themeluar në Shqipëri, një kolegj amerikan, në zemër të një vendi që ende kërkonte të mësonte gjuhën e lirisë.
Përgjigjja nuk vonoi. Kryepeshkopi Blake dërgoi në Shqipëri profesor Elmer E. Jones, një emër i njohur në rrethet e arsimit në Universitetin North-Western. Ai zbriti në një tokë që për të ishte e re, por që e ndjeu menjëherë mikpritjen.
“Shqiptarët janë të etur për arsim. Dhe gjithçka që është amerikane u pëlqen atyre, Mikpritja e shqipëtarëve është e pakrahasueshme.” do të shkruante ai më vonë në raportin e tij.

Në rrugët e asaj Shqipërie, mes maleve që ruanin historinë dhe fshatrave , bashkë me Elmer Jones, udhëtoi edhe një çift amerikan: Burta dhe Elliott Taylor.
Ata nuk erdhën vetëm me libra, por edhe me kamera. Dhe regjistruan me kujdes jetën shqiptare ashtu siç ishte: primitive por e bukur.
Duke ardhur si mësues dhe vizionarë të rinj, Taylorët u bënë mësimdhënës në “Instituti Shqiptaro-Amerikan i Kavajes – NearEast Foundation” financuar nga “NearEast Foundtation” dhe “Rockfeller Foundation”. Ky institut i hapur në Kavajë për vajza dhe djem ishte një përpjekje për të përgatitur udhëheqës fshatrash përmes dijeve praktike në shëndetësi, bujqësi dhe ekonomi shtëpiake.
Krahas punës së tyre edukative, ata dokumentuan jetën shqiptare në film dhe fotografi, duke kapur një botë të thjeshtë, të paprekur dhe shpesh të panjohur për syrin perëndimor.
Shqipëria primitive e kishave, xhamive dhe burkave
Në fotot e ekspozuara në COD center, të nxjerra nga filmimi nëpërmjet restaurimit, autori Shpend Begu, ka tentuar të ruajë pjesët më domethënëse të atij filmimi të shkurtër dhe me cilësi të dobët. Puna për restaurimin e filmit ka zgjatur mbi 10 vjet, duke e shndërruar këtë koleksion në një pasuri të veçantë të trashëgimisë sonë.

Shtëpitë e vjetra të ndërtuara me materiale të varfra, gra me burka , burra që punojnë arat me kosë, tregtarë të vegjël dhe zejtarë të poçerisë që shesin punët e tyre në Pazar janë disa nga imazhet e këtij filmimi të shkurtër të periudhës 1929-1935 në Shqipërinë e varfër por të bukur sipas vetë Burtës.
Edhe çifti Taylor shfaqet herë pas here në ato materiale. Diku duket Burta që mban në duar një objekt të paidentifikueshëm, ndërkohë pas saj janë disa gra që i buzëqeshin objektivit. Në një foto tjetër dallohet Elliot me fëmijët e Kavajës, atje ku ata hapën shkollën e tyre amerikane.
Në veri, filmimi fokuson jetën e malësorëve të veriut, të grave me xhubleta që nxitojnë drejt kishës dhe të burrave me qeleshe që herë i qeshin objektivit dhe herë marrin qëndrim statik, për të respektuar procesin e filmimit.

Burta Taylor do të bëhej më vonë një nga donatoret më të veçanta të “Muzeut Metropolitan” në Nju Jork, duke dhuruar një koleksion të rrallë kostumesh popullore shqiptare, të blera vetë në tregjet e Shqipërisë nga Jugu në Veri.

Në filmin e saj dokumentar, shihen ende pamje të një gruaje amerikane që përkulet mbi rrobat tradicionale, me sytë plot kureshtje dhe respekt. Ajo nuk po blinte thjesht veshje por merrte me vete copëza identiteti.
Jeta pas Shqipërisë e Taylor-ëve
Pas gjashtë vitesh në Shqipëri, Elliott Taylor u rikthye në SHBA, ku vazhdoi përkushtimin ndaj rajonit si mbledhës fondesh për Fondacionin “Near East”.
Por kujtimet nga Shqipëria mbeten gjatë. . Ato jetojnë sot në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, ku Ken Weissman, mbikëqyrës i Laboratorit të Filmit në Kampusin Packard, kujdeset për ruajtjen e këtyre dëshmive filmike me një ndjeshmëri që i përngjan asaj të vetë autorëve të tyre.

Koleksioni Elliott & Burta Taylor është një pasuri arkivore që ruan Shqipërinë e viteve 1929–1935 përmes filmave, slajdeve dhe letrave të një çifti amerikan që jetoi dhe punoi në zemër të Ballkanit.
Pas largimit nga Shqipëria, rrugëtimi i tyre vazhdoi në Nju Jork dhe më vonë në Kaliforni, ku vijuan të kontribuonin në arsim dhe çështje sociale. Sot, trashëgimia e tyre jeton në Bibliotekën e Kongresit dhe në kujtesën e asaj Shqipërie që ata deshën aq shumë për ta dokumentuar.

Nga një kërkesë zyrtare për një shkollë, tek një dokumentar që filmon jetën e një kombi në lëvizje, kjo histori është një dëshmi e bukur e asaj se si trashëgimia kulturore nuk ndërtohet vetëm brenda kufijve të saj por edhe përmes syve të miqve që erdhën nga larg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.