Treg

Bursa e Hong Kongut ka vdekur!

Nga Stephen Roach – Ekonomia është më shumë se sa thjeshtë një bursë aksionesh. Por për Hong Kongun, bursa ka qenë gjithmonë emblema e suksesit. Imagjinoni një qytet-shtet të vogël që listohet si bursa e katërt më e madhe në botë, të paktën deri në 2019-n.

Më vjen keq ta pranoj, por tashmë Hong Kongu ka mbaruar. Një qytet që dikur e quaja shtëpi dhe ishte plot dinamizëm, ka patur performancën më të keqe vitet e fundit. Që kur ajo kaloi nën administrimin e Kinës në 1997-n, indeksi Hang Sang ka qenë e sheshtë. Ndërkohë indeksi i S&P 500 është katërfishuar. Edhe bursa e Shanghait ka performuar më mirë.

‘Vdekja’ e Hong Kongut ka ardhur si bashkim i tre faktorëve. Fillimisht, politikat vendas. Për 20 vitet e para të kalimit nën qeverinë kineze, skena politike ishte e qetë. Kina ishte një ‘Big Brother’ pasiv. Pllakat u kthyen në 2019-20, nën drejtimin e Carrie Lam, i cili propozoi një marrëveshje ekstradimi me Kinën, duke nxitur demonstrata masive. Përgjigja e Kinës tregoi se politikat autonome lokale nuk ekzistonin.

Në pranverën e 2019-s, gjatë protestave, indeksi Hang Seng ishte në 30.000 pikë. Tani është 45% më pak. Tregu i preferuar i Milton Friedman u shkrumbua nga pesha e rëndë e autokracisë.

Së dyti, faktori Kinë. Bursa e Hong Kongut është konsideruar si një levë e Kinës gjithmonë. Për disa arsye, ekonomia e Kinës ka marrë një goditje. Problemet strukturore si borxhi, deflacioni dhe demografia, kombinuar me efektet post Covid dhe kriza në tregun imobiliar. Prej 3 vitesh këto indikatorë kanë zhvlerësuar shoqëritë kineze të listuara në bursën e Hong Kongut duke ndikuar në rënien e indeksit.

E treta, zhvillimet botërore. Që në 2018-n, rivaliteti SHBA-Kinë shkoi nga keq në shumë keq. Hong Kongu gjendet midis dy zjarreve. Fushata e Amerikës për ta bërë atë ‘shok’ ka ushtruar presion ndaj Hong Kongut për të mbajtur anë, duke ndikuar në marrëdhëniet e saj me tregtarët e tjerë aziatikë. Pasojat janë të pamohueshmë pasi tregtia e jashtme e saj përbën 192% të PBB-së.

Nuk ka rrugë të lehtë për Hong Kongun tashmë. Ajo nuk ka as liri dhe as aftësi për të ndjekur kursin e vet politik. Edhe nëse faktori ekonomik nga Kina përmirësohet, unë dyshoj se do të jetë afatshkurtër. Nuk shoh ndonjë rrugë të lehtë as në tensionet SHBA-Kinë.

Nuk do ta harroj kurrë udhëtimin tim të parë në Hong Kong në fund të viteve 1980. Pavarësisht se patëm një ulje të frikshme në aeroportin e vjetër të Kai Tak, unë u pushtova menjëherë nga energjia e jashtëzakonshme e komunitetit të biznesit. Në atë kohë, banorët e Hong Kongut kishin një vizion dhe një strategji. Kina sapo kishte filluar të trazohej dhe Hong Kongu u pozicionua në mënyrë të përkryer si përfituesi kryesor i asaj që u shndërrua në mrekullinë më të madhe të zhvillimit në botë. Gjithçka funksionoi shkëlqyeshëm, për më shumë nga sa pritej dikush. Dhe tani ka mbaruar.

Stephen Roach është ekonomist amerikan dhe ish-drejtues i degës aziatike të bankës gjigande “Morgan Stanley”. Burimi: FinancialTimes/ Përshtati: Gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë