Ngjarje

Burri i vuri flakën me benzinë, Melisa Trëndafili në luftë për jetën në QSUT! 45-vjeçari ende në kërkim

Melisa Trëndafili, e cila u dogj me benzinë nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces divorci, ndodhet në QSUT ku raportimet e para tregojnëse ka pësuar djegie në 35% të trupit, në fytyrë, qafë dhe gjymtyrë. Kohën kur ajo mori flakë e tmerruar kërkoi ndihmën e fqinjëve të cilët i hoqën rrobat fillimisht e më pas e nisën në spital.

Bashkëshorti fillimisht i ka telefonuar Melisës duke i kërkuar të dalë nga banesa për të sqaruar diçka, shumë metra poshtë banesës që ajo kishte marrë me qira dhe jetonte me fëmijët e saj.

Pasi u takuan janë ulur në shkallët e një shtëpie  private ku ndodhi dhe ngjarja.  31-vjeçarja trokiti në portën e një shtëpie aty pranë, banorët e të cilës i kanë ardhur në ndihmë, duke i hequr rrobat që kishte veshur dhe mjekuan me barna rrethanore shtëpie. Një fqinj që i ka dhënë ndihmën e parë, deklaroi jashtë kamerave se plagët ishin të mëdha në trupin e 31-vjeçares.

"Kam parë një burrë i cili në mes të rrugës fare pranë shtëpisë sime ka spërkatur me benzinë një grua e me pas i ka vënë flakën. Gruaja e tmerruar ka trokitur në portën e shtëpisë time dhe së bashku me bashkëshorten e kemi ndihmuar në fikjen e flakëve të zjarrit. I kemi hequr të gjitha rrobat nga trupi dhe e kemi veshur por plagët me përjashtim të fytyrës dhe këmbëve, ishin të mëdha dhe pothuajse gjithë trupi ishte me plagë të shumta. Kemi lajmëruar policinë dhe ambulancen të cilët erdhën shpejt në vendin e ngjarjes.

Gruaja është paraqitur në spitalin e Korçës me djegie të rënda në trup por për shkak të gradës së lartë të djegies, ajo është dërguar drejt spitalit të Tiranës për të marrë mjekim të specializuar.

Çifti ka qënë në proces divorci dhe janë prindër të dy fëmijëve të mitur. Policia ka shpallur në kërkim autorin, i cili pas aktit është larguar nga shtëpia dhe ende nuk dihet vendndodhja e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë