Krijuar në vitet 1920 në rajonin e Pulias në Itali, burrata lindi nga nevoja për të minimizuar mbetjet e ushqimit dhe pjesa tjetër është histori.
Burrata është po aq i bardhë sa mocarela por vjen me një ngushtim në majë dhe me një thikë mund të hapni qesen duke e ditur se diçka fshihet nën atë shtresë të djathit.

Burratan mund ta gjeni në të gjithë botën por historia e tij filloi në vitet 1920 në territorin jugor italian Murgia (pjesë e rajonit të Pulias)
Murgia, që në dialektin puljez do të thotë “gur”, është bishti i zinxhirëve malore që kalon Italinë si një shtyllë kurrizore. Lisat madhështorë, ullinjtë dhe pemët e bajameve mbulojnë kodrat që tani janë pjesë e “Parco Nazionale dell’Alta Murgia”. Në qendër të parkut, me pamje nga fushat e Apulisë dhe detit Adriatik, qëndron Castel del Monte, një kështjellë madhështore e ndërtuar në shekullin e 13 nga Federico II di Svevia, perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake. Në luginat përreth kalasë, të fshehura nën hijet e lisit për t’u mbrojtur nga nxehtësia e verës, qëndrojnë lopët që kullosin dhe sigurojnë qumështin që përdoret për burratën.
Sipas një studimi të bërë në fillim të shekullit 20 nga Michele Sinisi, profesor në “Istituto Agrario di Andria”, kur u krijua burrata, kishte vetëm disa qindra lopë në zonë. Sidoqoftë, qumështi i tyre delikat dhe më pak i yndyrshëm se qumështi i deleve, kishte kiminë e duhur për të krijuar djathin.
Riccardo Campanile, një historian i cili i ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të jetës së tij studimit të historisë së Murgia-s, tha se ishte Lorenzo Bianchino Chieppa ai që shpiku burratan. Sidoqoftë, nuk ka asnjë prove të shkruar se është ai, çka dhe ka çuar në një tension midis prodhuesve të ndryshëm të cilët gjithashtu pretendojnë se e kanë shpikur.
Fjala burrata është shfaqur për herë të parë në “Guida Gastronomica D’Italia “ (një inventar i recetave rajonale italiane) në 1931 i cili e renditi burratan si një produkt tipik lokal i Pulias.
Sipas Campanile, i cili vite më parë intervistoi djalin e Chieppa, burrata lindi si një mënyrë për të përdorur mbetjet nga procesi i djathit.
“Tepricat e mocarelës u përdorën për të bërë diçka të thjeshtë në fillim vetëm që të mos shkojnë dëm.” tha ai.
Angela Asseliti, 75 vjeçe, lindi dhe u rrit me gjyshin e saj Michele në një zonë të Pulias dhe në vitin 1980 ajo shpiku “burratinën” një copë më e vogël e burratës.
“Unë kam fjetur në stalla me gjyshin tim dhe lopët. Zgjoheshim në katër të mëngjesit për të mjelë lopët dhe pastaj i çoja për të kullotur në Murgia.” tha Angela.
Angela kujton se si ata zhytnin burratan e sapo bërë në shëllirë për të forcuar shtresën e jashtme të mocarelas, përpara se ta vishnin me gjethe asfodeli, për ta mbajtur të lagur dhe për të ruajtur freskinë e saj ndërkohë që transportohej.
Një djath kompleks për t’u bërë, burrata është perceptuar gjithmonë si një djath i nivelit të lartë.

Në ditët e sotme, mjeshtrat e djathit bëjnë burrata duke përdorur makineri moderne dhe e mbështjellin atë me plastikë, e cila, për shkak të rregulloreve të higjienës së BE-së, zëvendëson gjethet e asfodelit.
Sot, fermat e Murgia sigurojnë vetëm një pjesë të kuotës së qumështit që kërkohet dhe shumica e qumështit të përdorur për të prodhuar burratan vjen nga rajone të tjera italiane ose nga vendet e BE-së. Për të mbrojtur procesin autentik të bërjes së burratas nga imitimi, Caseifico Olanda, së bashku me Caseificio Asseliti krijuan në vitin 2018 një “Tregues të Mbrojtjes Gjeografike (IGP)”, duke e emëruar atë “Burrata di Andria”. Kjo do të thotë se qumështi mund të vijë nga jashtë rajonit por prodhimi duhet të bëhet në Pulia.
Edhe pse burrata tani mund të gjendet në të gjithë botën, vetëm në Pulia mund të drejtohemi për përvojën e vërtetë. Mund të blini një burrata, të shkoni në Castel del Monte dhe kujtoni sesi njerëzit kanë arritur të krijojnë një mrekulli të tillë pa e ditur se çfarë po bëjnë.
Burimi:BBC. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



