Politike

Burgosja e Salianjit / Bardhi: Gjykata e Apelit po vonon zbardhjen e vendimit! Po pengohet rekursi

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për media, është shprehur se Gjykata e Apelit, po refuzon të zbardhë vendimin e arsyetuar për dënimin e Ervin Salianjit me një vit burg.

Sipas tij, moszbardhja e vendimit të gjykatës përbën një mohim të së drejtës së deputetit Salianji për të paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë dhe për të kërkuar drejtësi në shkallët e tjera të gjyqësorit, brenda një afati të arsyeshëm.

Bardhi tha se  Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë shkeljen e vazhdueshme të ligjit nga gjyqtarët Elona Toro, Iliba Bezati dhe Gent Shala, të cilët sipas tij, “pasi urdhëruan pa ligj burgosjen politike të një deputeti të opozitës, vijojnë në dhunim brutal të ligjit të mos zbardhin arsyet e këtij vendimi skandaloz”.

“Vetëm regjimet totalitare burgosin kundërshtarët politik pa dhënë asnjë argument apo shpjegim. Vetëm në regjimet totalitare kundërshtarët politik burgosen për lirinë e fjalës dhe u mohohet edhe mundësia për të apeluar vendimin, përmes metodave kriminale të vonesës për zbardhjen e vendimit gjyqësor

Ne arrijmë të kuptojmë që gjyqtarët janë në vështirësi të gjetjes së argumenteve ligjore për urdhrin politik të një përfaqësuesi të lartë të opozitës, dhe gjejmë rastin ti bëjmë thirrje Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt, si autorët real të atij urdhri, që të përfundojnë zbardhjen e vendimit dhe t’ia dërgojë për nënshkrim gjyqtarëve pa asnjë vonesë”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë