Gazeta Si – Jetmir Kaloshi, i cili shërbente si shofer i i agjencisë së transportit “Sihana”, ka mohuar të ketë pasur dijeni për 8 pistoletat e gjetura në një tavolinë druri në furgonin e tij me destinacion Anglinë.
Pavarësisht qëndrimit të tij, i riu u la në burg nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila ka marrë në dorë hetimet.
Në gjykatë, Kaloshi ka pretenduar se është shofer dhe nuk ka lidhje me armët e zjarrit. “Unë do i dorëzoja në Itali dhe pastaj do kthehesha. Nuk kam vizë për në Britaninë e Madhe”, tha Kaloshi në gjykatë, duke sqaruar se ishte i punësuar në agjencinë e transportit si shofer dhe paguhej “në të zezë”.
Hetuesit po verifikojnë personin që ka dorëzuar tavolinën ku ishin të fshehura armët e zjarrit. Pjesë e hetimeve pritet të jetë edhe personi pritës në Britani të Madhe, në adresën që do të dorëzohej porosia.
Mësohet se autoritetet shqiptare akoma nuk kanë dërguar letërporosi në Britani të Madhe, por procedurat kanë nisur.
Megjithatë, nga ana e tyre autoritetet britanike kanë marrë masa për kontrolle të shtuara në kufi.
Dyshimet e policisë shqiptare janë për një rrjet personash me të shkruar kriminale që e kanë biznes trafikimin e armëve.
Deklarimet e Koloshit nuk kanë ndihmuar shumë hetuesit mbi ngjarjen, pasi është shprehur se personin qe i ka dhënë tavolinën nuk e njihte, por ka treguar mënyrat e komunikimit me të.
Për personat që do e merrnin në Angli, ai është shprehur se nuk dinte se kush do e merrte “mallin”, për shkak se ka patur të shënuar vetëm adresën dhe jo emra konkretë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



