Gazeta Si – Gjykata e Posaçme la në burg pa afat, Sokol Idrizajn, ish-shoferin e Ardi Veliut, bashkë me gruan e tij.
Gjithashtu, masat e sigurisë “arrest në burg” dhe “detyrim paraqitje” u lanë edhe vajzat e tyre, të vëna në akuzë në të njëjtën dosje.
Gjyqtarja vendosi të ndryshojë vetëm masën e sigurisë për shtetasin Devi Skënderi, pasi rezulton të jetë student. 7 personat e tjerë mbetën në masat e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa 5 mbeten në kërkim.
Sipas SPAK, këta persona kanë futur ilegalisht nga Franca në Shqipëri sende me vlerë të cilat shiteshin në argjendari, si dhe vlera monetare.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare.
Ndërsa shumat në cash, të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë euro dhe 35.000 franga.
SPAK po e heton këtë dosje për 12 akuza, më të rëndat për pastrim parash dhe grup kriminal.
Përveç këtyre personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg flori.
Pasuria e grabitur grumbullohej në një hotel në Francë dhe aty blihej nga personat që tashmë janë nën akuzë prej SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




