Gazeta Si – Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Alma Beqirin, e arrestuar për përvetësimin e 3 milionë eurove nga bizneset online si punonjëse e një poste private.
Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura pa praninë e mediave për më tepër se 2 orë. Sips akuzës, 46-vjeçarja shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Hetimet kanë zbuluar se kjo skemë mashtrimi e vënë në jetë nga 46-vjeçarja ka nisur prej vitit 2021.
Ndërsa shumat e konsiderueshme të parave të përfituara, Alma Beqiri mësohet se i ka shfrytëzuar për të blerë pasuri të paluajtshme dhe biznese tregtare të cilat i ka regjistruar në emrin e vet dhe familjarëve të saj.
Alma Beqiri i ka mohuar akuzat në gjykatë. Ajo ka thënë se është debitore ndaj kompanisë “ADEZ” në shumën 200 mijë euro dhe jo 3 milionë, siç pretendohet nga prokuroria.
“Jam debitore vetëm për 200 mijë euro kundrejt postës, ndërsa pjesa tjetër është farsë e ngritur nga subjekti”, ka deklaruar Beqiri.

Edhe avokatët e saj kanë kërkuar një masë më të butë sigurie pasi sipas tyre 46 vjeçarja nuk ka mashtruar e as përvetësuar para por ka shlyer rregullisht bizneset që kanë bashkëpunuar me postën për porositë.
Nuk bëhet fjalë për një mashtrim por një mosrakordim mes të pandehurës dhe kompanisë dhe dyshohet që është evazion fiskal për shkak të kryerjes së shërbimeve pa faturë tatimore.
Një nga avokatë e 46-vjeçares, Jordan Daci, thotë se shifrat nuk rakordojnë me shifrat me postat e ‘ADEX-it’.
“Kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje të pastër civile dhe jo vepër penale. Të gjitha shifrat krejtësisht fiktive dhe kemi të bëjmë me një çështje të karakterit fiskal dhe tregtar. Nuk ka përvetësim, fshehje, vjedhje, por ka mos akordim për një pjesa të detyrimeve qe nuk dihet sa janë. Beqiri gjatë seancës ka thënë se nuk ka asnjë lloj dëshire për të mos i kthyer këto para”.
Sipas Dacit, “kjo çështje do të zgjidhet në momentin që do ketë rakordim financiar. Makinat e sekuestruara janë blerë përpara kur pretendohet të ketë ndodhur fakti penal”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



