Drejtësia

Burg për 25-vjeçarin që vrau babain: S’e di kush e ka sulmuar. Prokuroria: Nuk e kupton çfarë ka bërë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Gjykata e Durrësit ka lënë në masën e sigurisë arrest me burg, 25-vjecarin Marjan Kedheli, i cili vrau me thikë të atin, 69-vjeçari Pjetër Kedheli.

Krimi i rëndë ndodhi në banesën e tyre në fshatin Shkallnur më 28 tetor.

Avokatja e caktuar kryesisht ka kërkuar të bëhet një vleresim mjeko-ligjor për shëndetin mendor të të riut, ashtu si edhe prokurorja.

“Ndjejmë keqardhje për ngjarjen. Marjani ende nuk i kupton veprimet që ka kryer. Kërkojmë të bëhet një akt ekspertimi mjeko ligjor psikik”, është shprehur prokurorja Matilda Fetahu.

Gjatë seancës Marjani është shfaqur disa herë duke qeshur.

25-vjeçari Kodheli është shprehur se ai nuk e di kush e ka sulmuar të atin.

“Nuk jam dakord për pjesën e rrezikshmërisë. Mua po më sulmonin, nuk e di kush e ka sulmuar. Mund të ketë qenë dikush tjetër që e ka sulmuar. Më vjen shumë keq që jam këtu për një situatë të tillë. Mbase bëjmë një seancë tjetër kur të jem më i qetë. Unë nuk jam njeri agresiv, jam marrë punë të ndershme në ndërtim”, tha ai.

Gjatë seancës, prokuroria ka treguar të gjithë dinamikën e tragjedisë së 28 tetorit në Shkallnur të Durrësit.

“Është marrë dëshmia e Valentinës, bashkëshortes së viktimës, e cila ka treguar se Marjani gjatë ditës ishte i mërzitur. Në momentin që ajo ka dalë jashtë për t’u kujdesur për bagëtitë, ka dëgjuar britmat e Pjetrit dhe më pas është kthyer në banesë, ku ka parë Marjanin duke e goditur të atin me thikë në trup”, deklaroi prokuroria.

Sipas organit të akuzës, autori i ngjarjes ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i ati i ka kërkuar të jetë më i kujdesshëm në pritjen e njerëzve dhe në sjellje ndaj tyre.

“Ai i ishte përgjigjur “këtu jam”, ndërsa shikonte telefonin. Në atë moment, i ati e kishte kapur për fyti dhe ai ishte ndjerë i bllokuar. Aty pranë kishte kapur një thikë dhe kishte goditur të atin. Pasi ishte larguar nga banesa, ishte kthyer sërish për të marrë celularin. Meqë e ëma i kishte hequr thikën nga dora, ai kishte marrë një shufër hekuri dhe e ka  goditur sërish të atin dy herë të tjera, përpara se të merrte celularin dhe të largohej përfundimisht nga banesa”, tha prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë