Gazeta Si – Me përjashtim të një të dyshuari, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në paraburgim 21 persona të arrestuar të mërkurën në Tiranë, të cilët akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të drogës në lokale, mjete taksi dhe tabakino.
Masa e sigurisë “arrest në burg” u caktua për të dyshuarit: Renaldo Dalipi, Engelbert Pjetri,Armandi Hajdini, Olsi Mici, Fatjon Cela (Çela), Xhon Boci, Laert Murataj, Artan Pullazi, Erald Sina, Gentjan Vercani, Valerjos Bushi, Olkid Hajdari, Dylber Alijaj, Angjelos Mema, Majdi Musa,Jurgen Hekurani, Erdison Gjella, Abdurahman Bollati, Klodian Rrucaj, Indri Nakaj dhe Genti Kraja.
Masës “arrest në burg” i shpëtoi vetëm i dyshuari Blerim Mali. Ndaj tij u caktua një masë me e butë për shkak të rrethanave familjare, pasi duhet të kujdesej për nënën e verbër dhe vëllain e paralizuar.
Gjatë operacionit, forcat e rendit sekuestruan rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 10 kilogramë Cannabis Sativa, rreth 100 doza të kësaj lënde, si edhe pesë automjete, 28 aparate celularë, gjashtë peshore elektronike dhe një shumë prej 3 mijë eurosh.
Aktiviteti i tyre kriminal ishte i shtrirë në disa zona të Tiranës, kryesisht në Bllok, Kamëz, Laprakë, Selitë, Tiranë e Re, Shkozë, Ali Demi, Xhamllik, Pazari i Ri, Shkolla e Kuqe, Astir, Myslym Shyri dhe Komuna e Parisit. Lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si dhe përmes shpërndarjes së kamufluar si porosi të ndryshme.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë prokurori i çështjes i tha gjykatës se veprimet e të dyshuarve ishin dokumentuar përmes blerjeve të simuluara.
Sipas dosjes së publikuar nga TCH, agjentët janë paraqitur si blerës, duke dokumentuar kështu këtë aktivitet të paligjshëm që ishte shtrirë në të gjithë kryeqytetin.
Një nga episodet, ku personi i infiltruar është paraqitur me emrin Kristi, bisedon me një prej anëtarëve të grupit, i cili duket se operonte në zonën e Kamzës.

Pjesë nga bisedat
Kristi i shkruan Valerjos Bushi:
Kristi; Ome vllai
Valerjos Bushi; Mirë…. hajde ktej iher
– Se kishte aty, ca lloji që më the?
– Tani kam .. (nuk kuptohet), po deshe prapë për me mor
– E mirë, mu tër notën më ke ktu. Është ndrru dora apo e njëjta është për të qenë?
Në dosje janë evidentuar disa episode të komunikimit të tyre me policë të infiltruar, të cilët janë paraqitur si klientë, duke zbërthyer këtë grup dhe mënyrën sesi bëhej shpërndarja e drogës në gjithë kryeqytetin.
Një prej komunikime është ai mes të infiltruarit me emrin Hasan dhe Renaldo Dalipi, i arrestuar:
• Hasan: Hajde këtej hajde?
• Renaldo Dalipi: Si je me?
• Hasan: Ku je mo ta dëgjoj zërin po nuk të shoh?
• Renaldo Dalipi: O…
• Hasan: Hë mor burr.
• Renaldo Dalipi: Ku je ti?
• Hasan: …
• Renaldo Dalipi: …Ta çoj un
• Hasan: Ça do m’çosh ti tashi e
• Renaldo Dalipi: Kaloj un urën tashi o zemra. Hajt se flim prap.
Komunikimi i dytë, blerja e simuluar: Engelbert Pjetri, i arrestuar, dhe i infiltruari me emrin Rei:
• Engelbert Pjetri: Për 10 minuta, ti do nji t’modhe? (subjekti dëgjohet në sfond që flet me dikë tjetër).
• Rei: Na ma jep dhe mu nji.
• Engelbert Pjetri: Prit 10 minuta mos merr më asnji mo…
• Rei: …
• Engelbert Pjetri: Prit për 10 minuta, ka mbaruar…
Bisedë tjetër midis bashkëpunëtorit të policisë Rei dhe i arrestuari Engelbert Pjetrit:
Kjo bisedë lidhet me blerjen e simuluar të datës 02.12.2025 në bulevardin “Bajram Curri”:
• Rei: O vëlla si kalove?
• Engelbert Pjetri: …
• Rei: A ke pesëqind lek të vogla?
• Engelbert Pjetri: Nuk kam asnji lek… o vëlla … lek aty e më kërko lek mua ai, ja fusni k… me shpulla ju!
• Rei: Njëqind lek kisha!
• Engelbert Pjetri: … hec pak para … ishe tap …
Blerja e simuluar: i arrestuari Armandi Hajdini dhe “Genti”
Kjo bisedë ka ndodhur më datë 26.11.2025 rreth orës 20:29:
• Genti: Ke mall t’vogël apo, a është gjo tamam o vlla se kam tërë natën që jam bo nga… cop cop e mos na fikso kot o vlla se kam edhe rob në shpi mos ja fut k…
• Armandi Hajdini: … s’ka.
• Genti: Amon mo tkeqen.
• Armandi Hajdini: Ça je tu bo ti?
• Genti: Hiç o vlla.
• Armandi Hajdini: Që dje tu pi.
• Genti: Po, m’ka qëllu e keqe prandaj a osht gjo tamam? Po t’pys tamam e kom seriozisht po t’flas tamam?
• Armandi Hajdini: Ik, se ngjohena në telefon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




