Pavarësisht presionit perëndimor dhe përpjekjeve për dialog, Bullgaria ka njoftuar se nuk do ta heqë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, duke bllokuar për pasojë edhe rrugën europiane të vendit tonë.
Ndërkohë që kryeministri Zoran Zaev ndodhet në Sofje për bisedime, ministria e Jashtme bullgare konfirmoi se qëndrimi i këtij vendi mbetet i pandryshuar. Ministria thekson se gjatë bisedimevë të Këshillit të Europës më 24-25 qershor, Bullgaria do të votojë kundër mbajtjes së konferencës së parë ndër-qeveritare me Shkupin.
Sofja kërkon që në kornizën negociuese më Maqedoninë e Veriut të përfshihen një sërë kushtet dhe garancish mbi njohjen e origjinës bullgare të gjuhës maqedonase, historisë së përbashkët dhe minoritetit bullgar.
“Pozicioni i Bullgarisë në lidhje me kornizën negociuese dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut mbetet i pandryshuar. Korniza negociuese për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2017, të cilat aktualisht nuk ekzistojnë”, thotë ministri.
Në qëndrimin e minitrisë së Jashtme bullgare, gjithashtu theksohet se kushtet për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare nuk janë përmbushur.
Deklarata vjen ndërkohë që Zaev do të takohet me presidentin bullgar Rumen Radev dhe me kryeministrin teknik, Stefan Janev në Sofje. Megjithatë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut deklaroi pak para nisjes së vizitës se nuk është optimist për një zgjidhje të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë deri më 22 qershor, kur të mblidhen ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Zgjidhja dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes nënkupton edhe nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të vendit tonë me Bashkimin Europian, pasi vendet e BE-së nuk kanë pranuar ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.
“Kam ndjenjën se dallimet nuk do të zgjidhen më 22 qershor, sepse Bullgaria ka një Qeveri teknike dhe nuk ka Parlament. Por, nuk është e pamundur të zgjidhen. Pse po e them këtë? Realiteti është se në Bullgari ka zgjedhje më 11 korrik. Por, në të njëjtën kohë, unë kam një ndjenjë përgjegjësie përpara njerëzve tanë të them se është detyra jonë të bëjmë gjithçka. Nuk do të kishte asgjë të dëmshme nëse ne arrijmë të përfundojmë një marrëveshje që do të verifikohej nga Qeveria e ardhshme politike dhe Parlamenti bullgar”, ka deklaruar Zaev.
Bullgaria ka thënë se nuk e konteston identitetin maqedonas, por kërkon që Shkupi të pranojë se para periudhës së Luftës së Dytë Botërore, maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë pasur “rrënjë bullgare”.
Portugalia, si shtet që kryeson aktualisht me BE-në, u ka dorëzuar dy vendeve një platformë për zgjidhjen e dallimeve.
Mediat bullgare kanë raportuar se dokumenti parashikon që Shkupi të pranojë modifikimin e identitetit dhe të gjuhës pas vitit 1945, ndërsa nga Sofja është kërkuar që të mos insistojë në prejardhjen bullgare të gjuhës dhe identitetit maqedonas.
Ndërkohë, opozita maqedonase ka protestuar në Shkup dhe në dhjetë qytete të tjera kundër bisedimeve me Bullgarinë, duke thënë se populli duhet të ngrihet kundër “tradhtisë së radhës të kryeministrit Zoran Zaev”.
Zaev ka thënë më parë se Qeveria e tij, as nuk ka negociuar, e as nuk do të negociojë çështje që kanë të bëjnë me identitetin.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, kanë nënshkruar në gusht të vitit 2017, një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por ajo jo vetëm që nuk është zbatuar, por ka thelluar edhe më shumë dallimet mes dy vendeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.