Bota

Bullgaria bëhet pjesë e eurozonës. Nga janari i ardhshëm do të përdorë euron

Bullgaria ka marrë dritën jeshile për t’u bërë pjesë e eurozonës duke e çuar bllokun në 21 shtete.

Komisioni Europian dhe Banka Qendore Europiane thanë se shteti bullgar i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe nga viti i ardhshëm do të nisë përdorimin e euros.

“Ky vlerësim pozitiv i hap rrugën Bullgarisë që të prezantojë euron që nga 1 janari 2026 dhe të bëhet shteti i 21-të anëtar i BE-së që i bashkohet eurozonës”, tha në një deklaratë për shtyp Philip Lane, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen gjithashtu përgëzoi vendin, duke thënë se vendimi “do të nënkuptojë më shumë investime dhe tregti me partnerët e eurozonës dhe më shumë stabilitet dhe prosperitet për popullin bullgar”.

“Bullgaria do të zërë gjithashtu vendin e saj të merituar në formësimin e vendimeve të zonës së euros,” shtoi ajo në një postim në rrjetet sociale.

Kjo shënon një ndryshim nga raporti i vitit të kaluar, i cili arriti në përfundimin se Sofja nuk përmbushi të ashtuquajturat kritere të konvergjencës për të adoptuar monedhën me arsyetimin se norma e inflacionit të vendit ishte shumë e lartë. Një nga pengesat për të kaluar ishte inflacioni. Sipas agjencisë së statistikave Eurostat, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit të Bullgarisë – i cili është i krahasueshëm në të gjitha vendet evropiane – arriti në 2.8% në prill.

Stabiliteti i çmimeve është vetëm një nga kërkesat që një vend duhet të përmbushë për t’u bashkuar me eurozonën, dhe në këtë mënyrë edhe Bankën Qendrore Europiane. Të tjerat përfshijnë kufizime në madhësinë e raportit të deficitit dhe borxhit të qeverisë së një vendi, normës mesatare nominale të interesit afatgjatë dhe stabilitetit të kursit të këmbimit.

Ekziston gjithashtu një kërkesë ligjore që mbulon pavarësinë e bankës qendrore.

Bullgaria u bashkua me Bashkimin Europian në vitin 2007 dhe u zotua në atë kohë të bashkohej gjithashtu me zonën e euros dhe të heqë dorë nga leva bullgare si monedhë e saj zyrtare.

Një euro është e barabartë me 1.96 leva, një normë e vendosur kur Bullgaria u bë pjesë e bordit që ankoron monedhat.

Ka qëndrime të përziera për anëtarësimin në euro brenda Bullgarisë. Një sondazh i publikuar vitin e kaluar nga BE sugjeroi se 49% e publikut ishte në favor të bërjes pjesë e bllokut të euros. Opinioni politik është gjithashtu i ndarë, me disa parti nacionaliste dhe presidentin e vendit që mbron kundër tij, ndërsa kryeministri Rosen Zhelyazkov është mbështetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë