Biznes

Bujqësia ndjen e para lëkundjet ekonomike, 7 % më pak kredi

Bujqësia është sektori më pak i kredituar në 2019-ën. Mes rimbursimeve të pamjaftueshme, vështirësive për tu mbajtur më këmbë e mandej për të investuar, druhet të marrë kredi.
Sipas Bankës së Shqipërisë, Bujqësia ishte i vetmi sektor që shfaqi tkurrje të kredisë gjatë 2019-ës krahasuar me një vit më parë me 7%.

Tkurrja e këtij portofoli është shfaqur në pjesën më të madhe të vitit, duke ndikuar në rënien e peshës së kredisë për bujqësinë ndaj totalit në 1.4%.

Reduktim të peshës ndaj totalit të kredisë shfaqi edhe sektori i ndërtimit, ku kredia për këtë sektor ra në 14.0%, krahasuar me 14.7% një vit më parë. Tkurrja e peshës së kreditimit në këta dy sektorë është shoqëruar nga zgjerimii i portofolit të kredive për sektorin e industrisë, tregtisë dhe shërbimeve, të cilat shënuan rritje të peshës së tyre ndaj totalit, në përkatësisht 25.1%, 44.7%, 14.8% në fund të vitit 2019.

Nga ana tjetër, sqaron Banka e Shqipërisë, rritja e kërkesës për kredi e bizneseve akoma nuk i është rikthyer një trajektoreje të qëndrueshme, por shfaq luhatshmëri nga një tremujor në tjetrin.

Në tremujorin e katërt, kërkesa për kredi u raportua lehtësisht më e ulët se në tremujorin e tretë.

Dobësimi i kërkesës për kredi, kryesisht për bizneset e vogla dhe të mesme dhe në financimin e investimeve, në një masë të madhe është për shkak të perceptimit mbi situatën ekonomike në tërësi të vendit dhe parashikimeve për të ardhmen, si edhe rënies së besimit të bizneseve.

Në tremujorin e katërt rritje kanë shfaqur edhe kreditë e disbursuara për bizneset. Fluksi i kredisë së re për bizneset prej 52.7 miliardë lekësh, ishte ndjeshëm më i lartë se tremujorët e tjerë të vitit, duke reflektuar edhe sjelljen sezonale. Korrektuar për efektin sezonal, ky fluks ishte rreth 11.3% më i lartë se ai i një tremujori më parë. Gjithashtu, ai shfaqet edhe 5.5% më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Rritja e kredisë së re për bizneset në tremujorin e fundit, duket se ka qenë në linjë me pritjet e bankave për zgjerimin e aktivitetit kreditues, sikurse është paraqitur në vrojtimin për aktivitetin kreditues.

Rritja e portofolit të kredisë për biznese në tremujorin e katërt u mbështet nga kreditimi i biznesit të madh. Ritmi i rritjes së këtij portofoli shënoi 4.5% ose 2.5 pikë përqindje më shumë se një tremujor më parë.

Nga ana tjetër, rritja e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) shënoi ngadalësim, në ndryshim nga përmirësimi i këtyre segmentëve deri në tremujorin e tretë. Ecuria e portofolit të kredive për NVM- të është ndikuar pozitivisht nga lehtësimi i standardeve të bankave, ndërkohë që kërkesa e tyre për financim është më e ulët se një tremujor më parë. Për vetë natyrën e brishtë të aktivitetit ekonomik të NVM -ve, ndikimi i tyre nga pasojat e tërmetit të datës 26 nëntor 2019 mund të jetë më i lartë. Në fund të vitit 2019, kredia për SME-të përbënte 11.6% të PBB-së, ose 0.7 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Ky raport për kredinë dhënë biznesit të madh ishte 12.3%, pothuajse I pandryshuar nga viti 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë