Futboll

Bufon rrëfen pengjet e karrierës, nga ‘Kalçopoli’ tek Oliver

Gazeta Si – Portieri i njohur italian, tani te Parma, ka komentuar disa nga momentet kyçe të karrierës. Në moshën 44-vjeçare, Bufon nuk ka në plan t’i varë dorezat në gozhdë.

Bufon ka kontratë me Parmën deri në vitin 2024. Ai ka folur për “La Stampa” për karrierën e gjatë dhe ambicjet. E ka nisur intervistën nga rënia në Serinë B me Juventusin:

“Kalçopolin e përjetova keq. Vija nga fitorja në Berlin dhe vendimi për të qëndruar në Torino ishte një zgjedhje e vështirë. Juventusi pagoi më shumë se të gjithë, ishin edhe klube e drejtues të tjerë…

Doja të jepja një mesazh të fortë falënderimi për njerëzit dhe klubin. Ishte motivimi për të dhënë diçka mbrapsht. Kisha marrë shumë dhe duhej t’ia ktheja klubit”.

Bufon dhe ne sfond trofeu i Championsit. Gazeta Si, 6 qershor 2022

Vuajtjet e atij viti u shpërblyen me atë që Bufon e quan fitoren më të madhe të tij si bardhezi: “Titulli i parë me Konten, sepse vendosi të qëndronte edhe në Serinë B në 2006-ën”.

Mes episodeve më kontroverse të karrierës së Bufon është edhe ndëshkimi në Champions nga arbitri anglez Oliver. Shkak ishin protestat për atë penallti të dhënë në shtesë për Realin.

“Ajo është ndeshja që më bën të ndihem më shumë krenar. Juventusi shënoi 3 gola në ‘Bernabeu’. Nuk e kuptoj edhe sot pse në ndëshktoi më karton të kuq, nuk e ofendova.

Kam përshtypjen se dikush nga shokët e mi mund t’i ketë bërë diçka, por nuk isha unë. Mora të kuq. E rëndësishme është që gjithmonë të mundem për diçka”.

Tani Bufon ka objektiva të tjerë, si ai për të ngjitur Parmën në Serinë A. “Nuk mendoja se do të mbaja këtë nivel në këtë moshë. Kam kuptuar që duhen objektiva dhe ata gjenden duke bërë rrugë.

Nuk jam i pavdekshëm, do të tërhiqem. Mund ta kisha bërë 4 vjet më parë, para se të shkoja te PSG. Jam këtu dhe nuk dua t’i zhgënjej njerëzit në Parma”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë