Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për tregun e pasurive të paluajtshme tregojnë për një konfuzion mes kërkesës, ofertës, kredimarrjes me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme, çmimeve të rritura dhe shitjen e tyre nga ana e agjencive të licensuara.
Banka e Shqipërisë në Raportin e Stabilitetit Financiar citon se “Treguesit që përdoren për monitorimin e ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme japin sinjale të përziera në lidhje me kërkesën dhe ofertën në këtë treg gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020”.
Nga njëra anë, treguesit reflektojnë kushte të shtrënguara të bankave për kredi për pasuri të paluajtshme dhe kërkesë në rënie nga individët për financimin e blerjes së banesave.
Kurse nga ana tjetër, teprica e kredisë për pasuri të paluajtshme ka shënuar rritje dhe agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme raportojnë rënie të numrit të pronave të pashitura dhe rritje të çmimit të shitjes.
Për sa i përket ofertës në këtë treg, kredia për ndërtim shënoi rritje në krahasim me fundin e vitit 2019 dhe ndaj një viti më parë.
Ssektori i individëve shënoi rreth 112 miliardë lekë për gjysmën e parë të vitit 2020 dhe ishte rreth 3% më i lartë ndaj fundit të vitit 2019.
Ecuria e kësaj kredie, shpjegon raporti i BSh-së, është favorizuar edhe nga norma interesi të ulëta dhe të qëndrueshme për këtë kategori kredie. Raporti i kredive me probleme për këtë lloj kredie ra në 4.4%, nga rreth 5% një vit më parë.
Teprica e kredisë për ndërtim shënoi rritje me fundin e vitit 2019 dhe me një vit më parë.
Pesha e kredisë për ndërtim zë 14% të tepricës së kredisë së bizneseve, duke mbajtur nivele thuajse të pandryshuara gjatë dy viteve të fundit.
Brenda kësaj ndarjeje, 62% e stokut mbahet nga sektori i individëve dhe pjesa tjetër nga sektori i bizneseve.
Rezultatet e vrojtimit për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme, tregojnë që për periudhën, agjentët e tregtimit të pasurive të paluajtshme kanë raportuar çmime shitjeje më të larta ndaj gjashtëmujorit të kaluar.
Vrojtimi ka marrë në pyetje 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme dhe ndërtimin, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës.
Çmimet e banesave të llogaritura sipas Indeksit Fischer për shitjet e kryera gjatë periudhës, janë rritur me 4.9% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 40% në krahasim me periudhën bazë (viti 2013).
Për shitjet e realizuara në zonën e Tiranës, që përfshin qendrën, periferinë dhe zonat jashtë qytetit, indeksi u rrit prej 6.5% ndaj periudhës paraardhëse dhe 43.4% ndaj periudhës bazë.
Agjentët janë shprehur relativisht pesimistë për zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, duke vlerësuar situatën në këtë treg si të përkeqësuar. Agjentët mbeten pesimistë edhe për periudhën e ardhshme, por sipas vrojtimit, janë dukshëm më optimistë për të ardhmen e këtij tregu në terma më afatgjatë.
Agjencët thonë se situata e përgjithshme e tregut është ndjeshëm e përkeqësuar në krahasim me gjashtëmujorin e dytë të 2019-ës, duke reflektuar pasigurinë e tregut në situatën e krijuar nga pandemia SARS-CoV-2.
Në përgjigje të pyetjes “Si e vlerësoni situatën e tregut në krahasim me periudhën (gjashtëmujorin) e mëparshëm”, përgjigjet negative iishin [-54]%, dhe vetëm 6% e agjentëve kanë dhënë përgjigje pozitive (më mirë), ndërkohë që rreth 1/3 e përgjigjeve ishin neutrale – “pa ndryshim”.
Kjo vlerë, sipas BSH-së, shënon thyerje ndaj prirjes së viteve të fundit, në ngushtim të vazhdueshëm, dhe ndaj mesatares afatgjatë prej rreth [-19.6]%.
Subjektet që kanë raportuar shitje gjatë periudhës, rezultoi lehtësisht më pak negativ, në vlerën [-44]%, gjithashtu me prirje të kundërt (më pesimist) nga vitet e fundit.
Ecuria e çmimeve dhe e shitjeve
Në fund të periudhës gjashtëmujore të 2020-ës, Indeksi Fischer i çmimit të banesave në rang vendi shënoi rritje me 40% në krahasim me nivelin e periudhës bazë (viti 2013) dhe rritje me 4.9% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm. Vëllimet e shitjeve kanë rënë lehtë në rang vendi, por janë rritur në zonat qendrore dhe jashtë qytetit të Tiranës. Indeksi i Çmimit për Tiranën u rrit me 43.4% ndaj periudhës bazë dhe me 6.5% ndaj periudhës paraardhëse.
Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura ndjeshëm në zonat jashtë qytetit (me mbi 50%), por janë raportuar në rënie të lehtë në zonat qendrore dhe periferi.
Zonat bregdetare raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta, ndërsa zonat e tjera shfaqën ndryshime thuajse të papërfillshme.
Numri i banesave të regjistruara
Agjentët kanë raportuar numër më të ulët banesash të reja të regjistruara në librat e tyre. Balanca neto e atyre që raportojnë rritje të numrit të banesave të regjistruara dhe atyre që raportojnë rënie të numrit të tyre, ishte rreth [-9.3]%, duke treguar rënie nga periudha e kaluar. Numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie për disa gjashtëmujorë radhazi.
Koha mesatare e shitjes
Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet të jetë mesatarisht 10.3 muaj dhe shënoi një rritje të lehtë ndaj gjashtëmujorit të kaluar. Për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 10.4 muajsh ose 1.2 muaj më të gjatë se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar. Për zonën e bregdetit dhe për zonat e tjera, koha e shitjes u raportua përkatësisht 10.7 dhe 11.4 muaj, me rritje të lehta nga periudha e kaluar.
Financimi nëpërmjet kredisë bankare
Sipas agjentëve, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rënie në krahasim me vlerën prej 65% të raportuar në periudhën paraardhëse. Pritjet për të ardhmen. Ndryshe nga periudhat e tjera, këtë herë agjentët kanë pritje negative për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër, por janë optimistë për periudhën më afatgjatë (deri në dy vjet). Numri i pronave që pritet të regjistrohen për shitje gjatë periudhës në vazhdim, vlerësohet se do të pësojë ulje (balanca neto rezultoi [-9.2]%). Agjentët nuk presin ndryshime të qenësishme të çmimeve të pronave të paluajtshme për banesat, kurse për pronat ishte pozitive (15.8%), duke reflektuar optimizëm nga ana e agjentëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.