Banka e Shqipërisë e dekoron veten me meritën për rritjen me të paktën 1.3 pikë përqindje të rritjes ekonomike të vendit gjatë vitit 2021.
Sipas vlerësimeve paraprake të Instat, ekonomia shqiptare vitin e kaluar u rrit me afërsisht 8.5%. Në mungesë të efektit të stimulit monetar, sipas vlerësimit të kryer nga Banka e Shqipërisë, rritja ekonomike supozohet se mund të ishte rreth 7.3%.
Efekti pozitiv i politikës monetare në rritjen ekonomike është përcjellë nëpërmjet uljes së normave të interesit dhe kostos së shërbimit të borxheve ekzistuese, të primeve më të ulëta të rrezikut, kreditimit të vazhdueshëm të ekonomisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë së eksporteve shqiptare.
BSH thotë se kursi stimulues i politikës monetare ka frenuar trendin mbiçmues të kursit të këmbimit, me një ndikim mesatar prej rreth 0.6 pikë përqindje në vit për të gjithë periudhën. Kjo nënkupton se në mungesë të efektit të politikës monetare, leku do të ishte vlerësuar me mesatarisht 0.6 pikë kundrejt valutave të tjera në kursin e këmbimit valutor.
Vitin e kaluar, leku shënoi pozitat më të forta historike në kursin e euros, në terma mesatarë vjetorë, ndërsa u mbiçmua edhe në raport me shumicën e valutave të tjera kryesore të partnerëve tregtarë.
Kontributi i politikës monetare për një aktivitet më të lartë ekonomik dhe një kurs më të nënçmuar këmbimi, ka gjeneruar presione inflacioniste më të larta. Gjithmonë duke iu referuar studimit të Bankës së Shqipërisë, ndikimi mesatar në inflacion për të njëjtën periudhë ka qenë afërsisht 0.7 pikë përqindje. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar vjetor arriti nivelin prej 2%, nga 1.6% që kishte qenë një vit më parë. Në mungesë të ndikimit të politikës monetare stimuluese, supozohet se inflacioni vjetor do të kishte qenë pranë nivelit 1.3%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



