Para

BSH: Sektori bankar nuk preket nga kriza e luftës

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikqyrës, Banka e Shqipërisë ka miratuar edhe Raportin e Stabilitetit Financiar, ku përmendet dhe “imuniteti” i sektorit bankar në vend, ndonëse në një krizë çmimesh dhe konsumi.

 “Agresioni ushtarak në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, kanë ashpërsuar më tej problemet globale me zinxhirët e prodhimit dhe ofertën, duke ndikuar në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës e gazit, të drithërave dhe të metaleve. Projeksionet e reja sugjerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste në afat të shkurtër, të cilat mund të shoqërohen me rritje të kostove të prodhimit, rënie të konsumit dhe të investimeve, pra me ngadalësim të rritjes ekonomike”-nënvizon institucioni.

Por, pavarësisht kësaj situate sqaron se: “Ekspozimi i drejtpërdrejt i sektorit bankar ndaj vendeve në konfliktin e mësipërm, është i vogël dhe nuk do të ndikojë në treguesit e qëndrueshmërisë financiare të veprimtarisë. Ekspozimi i tërthortë përcaktohet nga ecuria e ekonomisë, qëndrueshmëria makroekonomike dhe performanca e huamarrësve”.

Sa i përket situatës para këtij kërcënimi të ri, Banka e Shqipërisë vlerëson ecurinë e mirë të sektorit bankar gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar.

 “Veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën me ritme të shpejta, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Zhvillimet ekonomike përgjatë vitit 2021 ishin mjaft pozitive, ndonëse rritja ekonomike, ulja e normës së papunësisë dhe goditjet nga krahu i ofertës, u shoqëruan me rritje të presioneve inflacioniste në fund të periudhës”-nënvizon institucioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë