Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka sinjalizuar rritje të mëtejshme të normës së interesit, në rast se faktorët e brendshëm do të vazhdojnë të cënojnë stabilitetin ekonomik të vendit.
Për ekspertët e Politikës Monetare në BSH, një ndër këta faktorë është rritja e pagës së punonjësve, por pa produktivitet, referuar rritjes së detyruar të privatëve, por edhe Reformës së qeverisë. Për tremujorin e dytë, rritja reale e pagës në sektorin privat arriti në 10.4%, nga rreth 3% në tremujorin paraardhës.
“Kërkesa për mallra dhe shërbime ka kaluar kapacitetin e ekonomisë, kështu është rritur kërkesa për punonjës. Mungesa e lartë e fuqisë punëtore ka bërë që bizneset të rrisin pagat dhe kjo sjell rritje të kostove të tyre. Reforma po bëhet përballë presioneve të tregut të punës, por nëse nuk ka produktivitet ndikon në inflacion”, tha për mediat kreu i departamentit të Politikës Monetare, Erald Themeli.

Dhe gjatë tremujorit të dytë duket se në vend ka ndodhur pikërisht ‘makthi’ i Bankës së Shqipërisë. Në raportin e Politikës Monetare për periudhën prill-qershor, thuhet se kostot e punës për njësi u përshpejtuan në 7.1% në tremujorin e dytë të vitit 2023 krahasuar me tremujorin e mëparshëm (3.9%), në reflektim të rritjes së pagës në sektorin privat. Nga ana tjetër, produktiviteti i punës ka shfaqur tendencë negative, duke nxitur edhe më tej rritjen e kostove të punës për njësi.
Po ashtu, një tjetër rrezik që Banka i druhet është ai i shtrenjtimit të të ushqimeve dhe naftës si dhe një rritje globale e inflacionit.
Rënia e inflacionit nuk reflekton uljen e çmimeve në tregjet vendase
BSH pranon se rënia e inflacionit gjatë këtij viti nuk ka ndodhur për shkak të uljes së çmimeve, por sepse është ulur pesha e inflacionit të jashtëm (ndikuar dhe nga zhvlerësimi i euros në vend), si edhe nga moskryerja e shpenzimeve kapitale nga qeveria, që në të kundërt do të sillte një rritje të kërkesës për mallra/shërbime.

Sipas tabelës së përpunuar nga Banka, në raport vjetor, grupet kryesore të inflacionit në fakt kanë shënuar rritje dhe jo të vogël. I vetmi tregues që rezulton me rënie është ai i çmimeve të karburanteve edhe pse së fundmi ato janë shtrenjtuar. Sipas shpjegimit të ekspertëve të BSH-së rënia ka ndodhur sepse një vit më parë çmimi i naftës ishte shumë më i lartë.

Banka mbetet e vendosur në objektivin për ta kthyer inflacionin 3% në fund të 2024-s, por thekson se ritmi rënës i tij është ngadalësuar. Objektivi mund të vështirësohet në rast se përshkallëzimi i konfliktit në Izrael do të rikthejë rritjen e fortë të çmimeve në botë.
Agjentët financiarë presin rënie të inflacionit, por bizneset dhe konsumatorët presin rritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.