Ekonomi

BSH: Përgjysmimi i rritjes ekonomike, rrezik për sistemin bankar

Banka e Shqipërisë është e shqetësuar për tkurrjen e ekonomisë në vend, pasi sipas saj, shfaq rrezik për sistemin bankar.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar të 6-mujorit të parë të vitit 2019 janë shprehur se ngadalësimi i rritjes shton rreziqet e tregut dhe për rrjedhojë mund të ndikojë në përkeqësimin e treguesit të kredisë me probleme. Në të njëjtën kohë për BSH edhe rreziku i biznesit është rritur lehtë.
Po ashtu edhe paqëndrueshmëria politike është një risk për ekonominë, risk i nënvizuar edhe nga Banka Botërore në raportin e saj të vjeshtës për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në raportin e Bankës së Shqipërisë citohet se “Situata ende e paqartë politike është reflektuar në rritjen e nivelit të përgjithshëm të vlerësimit për rrezikun politik dhe rritjen e rrezikut të përkeqësimit të ekonomisë së brendshme nga niveli mesatar në 6-mujorin e parë 2018 në nivelin e lartë”.

Por BSH shprehet se sektori bankar e ka zhvilluar veprimtarinë në mënyrë të qëndrueshme, rreziqet kanë qenë të kontrolluar dhe rezistenca financiare mbetet e mirë.
Zhvillimet ekonomike ndërkombëtare janë më të pafavorshme dhe pritjet janë më më pesimiste, ndërkohë që dhe rritja ekonomike në vend është ngadalësuar.

Tregjet financiare shfaqen pa ndryshime të rëndësishme, teksa normat e interesit mbeten të ulëta dhe kanë pasur tendencë në rënie.

Cilësia e kredisë nuk ka ndryshuar gjatë periudhës. Raporti i kredive me probleme ra në 11.2% nga 13.6% që ishte në qershor të një viti më parë.

Shlyerjet dhe fshirjet kanë ndikuar me rënien në 45% të peshës së kredive të humbura në totalin e kredive me probleme. Pakësimi i stokut të kredive të humbura ka rezultuar në një rënie proporcionalisht më të lartë të fondit proviogjioneve (nga 64.4% më ’06/18 në 62%) dhe mbulimit me kapital të KP neto;

BSH vlerëson që procesi i fshirjeve mbetet i nevojshëm për të ulur më tej nivelin e kredive me probleme dhe për të çliruar burimet për kreditim.

BSH vlerëson gjithashtu se rreziku i likuiditetit vlerësohet i ulët, ndërsa rezistenca financiare e sektorit bankar ndaj rreziqeve vlerësohet e fortë. Në të njëjtën kohë rreziku i tregut ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm.

Po ashtu sipas BSH-së, rreziku i likuiditetit në veprimtarinë e bankave mbetet i ulët. Raportet e aktiveve likuide në lekë dhe valutë ndaj detyrimeve janë ndjeshëm mbi nivelet e kërkuara.

Burimi kryesor i financimit mbeten depozitat që zënë mbi 80% të detyrimeve dhe mbulojnë rreth dy herë kredinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë