Banka e Shqipërisë në mendimdhënien në lidhje me projketbuxhetin 2021 në komisionin kuvendor për Ekonominë dhe Financat është shprehur se borxhi I lartë publik vë në rrezik financat dhe duhet të adresohet me kujdes në planet afatmesme dhe afatgjata fiskale.
Gjithashtu Banka e Shqipërisë përmes prezencës së Zv/Guvernatores së parë, Luljeta Minxhozi vëren se projeksioni për të ardhurat është më optimist se parashikimet e vetë Bankës.
“Projektbuxheti i vitit 2021 bazohet në projeksionin e një niveli të ardhurash publike rreth vlerës 480 miliardë lekë ose 11% më të larta se niveli i pritur gjatë vitit aktual. Ky projeksion faktorizon pjesërisht tendencën e rikuperimit të aktivitetit ekonomik dhe pjesërisht rritjen e eficiencës së administratës tatimore e doganore në mbledhjen e taksave. Në të kundërt, ndryshimet e paketës fiskale projektohen të kenë një ndikim agregat marxhinal negativ në ecurinë e të ardhurave. Banka e Shqipërisë gjykon se ky është një projeksion i arsyeshëm për ndërtimin e Buxhetit dhe programimin e shpenzimeve. Megjithatë, projeksionet tona të të ardhurave janë lehtësisht më të ulëta se projeksionet e Buxhetit.”- është shprehur Minxhozi në komision.
Po ashtu, pasiguria për të ardhmen si dhe rreziqet e shumta, thotë BSH, mund të prodhojnë surpriza negative në grumbullimin e të ardhurave. Për këtë arsye, ndonëse Projektbuxheti ka kontingjenca për amortizimin e tyre, Banka e Shqipërisë gjykon se realizimi i shpenzimeve të programuara duhet të jetë i kujdesshëm dhe të ndjekë në ritëm e në kohë nivelin e realizimit të të ardhurave.
Në këtë kuptim, BSH sugjeron se një hap pozitiv do të ishte rritja përtej niveleve aktuale e fondeve kontingjente në buxhet apo identifikimi paraprak i shpenzimeve jo-prioritare, realizimi i të cilave duhet të kushtëzohet me realizimin e nivelit të parashikuar të të ardhurave.
Paralelisht me kujdesin ndaj respektimit të treguesve të Buxhetit të vitit të ardhshëm, Banka e Shqipërisë i kushton rëndësi të madhe qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik.
“Të rivendoset borxhi në një trajektore rënëse, pas goditjes së marrë në vitin 2020; të përcaktohen investimet në nivel më të lartë sesa deficiti i përgjithshëm buxhetor; të mospërfshihen të ardhurat nga privatizimi si një instrument konvencional në financimin e deficitit; si dhe, të krijohet një fond kontingjence për përballimin e rreziqeve potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit që ndikojnë nivelin e borxhit.”- sugjeron Banka Qendrore.
Teksa projektbuxheti i vitit 2021 parashikon një reduktim prej rreth dy pikësh përqindje të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, për ta zbritur atë rreth nivelit 78.6% në fund të vitit 2021, në një aspekt kohor më afatgjatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen se ky nivel borxhi vijon të mbetet i lartë.
“Përballja me krizën e fundit ilustroi plotësisht rëndësinë që ka një nivel i ulët apo nën kontroll i borxhit publik. Për këtë arsye, reduktimi i borxhit publik duhet të jetë një objektiv primar i politikës tonë fiskale, si një instrument për uljen e kostove të financimit të sektorit publik dhe privat si dhe si një instrument garancie mbi ruajtjen e hapësirave të nevojshme fiskale për përballimin e goditjeve të ardhshme.”- është shprehur Minxhozi.
Në lidhje me huamarrjen e sektorit publik dhe tregut të brendshëm financiar, Banka e Shqipërisë gjykon se tregjet e brendshme financiare paraqiten relativisht të gatshme ndaj një huamarrjeje të rritur të qeverisë.
Megjithatë, Banka gjykon se tregu financiar mbetet i ndjeshëm ndaj shpërndarjeve jo të njëtrajtshme të huamarrjes së qeverisë gjatë vitit. Po ashtu, sipas Minxhozit, banka të veçanta, vijojnë të kenë politika kufizuese për sa i përket ekspozimit ndaj borxhit sovran, gjë që mund të sjellë një interes më të ulët të aktorëve të tregut për të investuar në titujt e qeverisë.
Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë sugjeron monitorimin e vazhdueshëm të tregjeve financiare, si edhe vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit midis institucioneve. Në një perpsektivë më afatgjatë, kujdes duhet bërë për përmirësimin strukturor të sistemit financiar si dhe për rritjen e efikasitetit të tregut sekondar të letrave me vlerë.
Në lidhje me PPP-të, banka sugjeron që projektet e reja duhet të miratohen brenda një kornize, e cila mundëson prioritizimin e investimeve publike.
“Banka e Shqipërisë ka mbështetur në vazhdimësi sanksionimin ligjor, i cili kërkon që niveli i investimeve publike të jetë jo më i vogël se niveli i huamarrjes. Duke nënvizuar dhe një herë rolin e madh që këto investime kanë në zhvillimin e vendit, Banka e Shqipërisë sugjeron ruajtjen e vëmendjes ndaj deficitit strukturor korrent, në interes të ruajtjes së hapësirave për investime kapitale në të ardhmen.”- ka thënë ZV/guvernatorja Minxhozi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



