Nga Gazeta ‘SI’ – Në një studim të fundit, Banka e Shqipërisë vlerëson se kriptomonedhat do të sfidojnë bankat, do të rrisin mundësinë e panikut bankar dhe fenomenit të tërheqjes së menjëhershme të fondeve nga bankat.
Materiali “Ndikimi i kriptomonedhave në stabilitetin financiar dhe ciklin financiar”, autorët, pjesë e Bankës, fokusohet tek paraja digjitale dhe ndikimi në sistemet financiare.
Ndër llojet e kriptomonedhave, të tre kategorive të ndryshme: kriptomonedhat me çmim të luhatshëm, kriptomonedhat me çmim fiks si stablecoin dhe paranë elektronike të bankave qendrore (PEBQ) në tregun e monedhave digjitale, BSH vlerëson se stablecoin kanë një perspektivë për të gjetur përdorim më të gjerë në publik.
Megjithatë sipas BSH-së, rezulton se stablecoin mbart rreziqe të ngjashme me ato të një tregu financiar tradicional të parregulluar dhe paraqet një sfidë për autoritetet kombëtare.
“Përhapja në shkallë të gjerë e një ekosistemi të stablecoin mund të përshkallëzojë transmetimin e goditjeve dhe cikleve financiare midis ekonomive të ndryshme, duke e bërë më të vështirë për politikëbërësit të kufizojnë dhe luftojnë pasojat negative në ekonomi, sidomos gjatë periudhave të krizës“, thuhet në studim.
Po ashtu përmendet se përdorimi i gjerë i shërbimeve dhe produkteve të teknologjisë financiare, FinTech, rrezikojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiarë, sidomos kur aktorët me rëndësi ekspozohen në to.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




