Treg

BSH: Kreditimi është rritur, por kërkesa në rënie. Interesat për individë më të larta se për bizneset

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreditimi për bizneset dhe individët nga bankat tregtare në vend ka vijuar të rritet deri në fund të muajit tetor, edhe pse me kushte më të shtrënguara. Rritja e interesave ka qenë disi më e përmbajtur për bizneset, ndërkohë që për individët rritja ka qenë më e fortë Analiza e interesave sipas kategorive tregon se rritja e normës bazë po fillon të reflektohet fillimisht në kreditë për individët dhe tek kreditë për bizneset e vogla dhe të mesme.

Banka e Shqipërisë ka raportuar se kredia për biznese është rritur fort, për shkak të financimit të bizneseve mesatare, ndërsa për ato të vogla dhe të mëdha ka pasur një ritëm ngadalësues.

Rritja e kredisë për biznese ka qenë për mbulimin e nevojave për kapital qarkullues, në përgjigj  të rritjes  së çmimeve dhe kostove. Oferta për kredi është shtrënguar, në kushtet kur bankat kanë rritur normat e interesit, kanë shtuar kujdesin në kredidhënie dhe kanë ulur tolerancën ndaj rrezikut.

Kredia për individë, ajo për banesa dhe ajo konsumatorë, ka shënuar rritje, por kërkesa ka pasur rënie, për shkak të rritjes së normave të interesit. Kjo ecuri, sipas Bankës, pritet të vazhdojë edhe në tremujorin e ardhshëm. Në tërësi, muaji shtator ka dhënë sinjal për ngadalësim të kredisë nga ky segment.

Në vendet e rajonit, kredia për sektorin privat ka vijuar me ritme të larta, pavarësisht rritjes së normave  të interesit dhe kushteve më të shtrënguara të kreditimit. Rritja e saj është mbështetur kryesisht nga  kërkesa e bizneseve për financim të nevojave për likuiditet, në kushtet e rritjes së çmimeve dhe akumulimit të inventarëve. Kredia për individë, nga ana tjetër, shfaqet e ngadalësuar në pjesën më të mirë të vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë