Ekonomi

BSH: Ekonomia ngadalësohet edhe gjysmën e dytë të vitit, të forcohen financat publike

Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia në gjysmën e dytë të vitit 2019 do të vijojë në ritmet e gjysmës së parë të vitit.

Prandaj, Banka e Shqipërisë thekson se është me rëndësi forcimi i shëndetit të financave publike, nëpërmjet ruajtjes së fokusit në kontrollin e deficitit buxhetor dhe nëpërmjet reformave të mëtejshme për përmirësimin e administrimit të financave publike.

Guvernatori i BSH-së Gent Sejko në analizën që i bën ekonomisë në dokumentin e Politikës Monetare thotë se ekonomia shqiptare u zgjerua vetëm me 2.3% në tremujorin e dytë të vitit.
Rritja ekonomike vijoi të jetë e ngadaltë në tremujorin e dytë, në sinkron me tremujorin paraardhës, ndërsa inflacioni mbeti në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit në tremujorin e tretë.

“Kjo ecuri është diktuar më së shumti nga goditje të përkohshme të ofertës. Si e tillë, ajo nuk i ndryshon në mënyrë të ndjeshme pritjet tona për ecurinë e ekonomisë në afatin e mesëm.”- thotë Sejko.

Rritja ekonomike ka ardhur nga zgjerimi i konsumit publik dhe privat, ndërkohë që eksportet neto dhe investimet kanë shënuar rënie.

Ashtu si dhe në tremujorin e parë, ngadalësimi i ritmit të rritjes pasqyron rënien e prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike, efektet tranzitore të mbylljes së lojërave të fatit, dhe hyrjen në fazën përfundimtare të punimeve në një projekt madhor energjetik.

Këto efekte sipas BSH-së, do të jenë të pranishme edhe në gjysmën e dytë të vitit. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes ekonomike në këtë periudhë pritet të jetë i krahasueshëm me atë të gjysmës së parë, por të vijë në përshpejtim dy vitet në vazhdim.

Ecuria e kursit të këmbimit shfaqet relativisht e stabilizuar: raporti i këmbimit të lekut me euron është më afër ekuilibrit, ndërsa luhatjet e tij duket se janë diktuar nga faktorë sezonalë.

Normat e interesit të kredive, depozitave dhe të letrave me vlerë të qeverisë janë pranë niveleve minimale, duke nxitur rritjen e kredisë dhe duke inkurajuar rritjen e konsumit dhe të investimeve.

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.5% në tremujorin e tretë. Përshpejtimi i ritmit të rritjes i dedikohet si zgjerimit të kërkesës, ashtu dhe përmirësimit të ofertës së kredisë bankare. Kjo e fundit, sipas bankës Qendrore, pasqyron jo vetëm përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të kreditit dhe të bilancit të sektorit bankar - sikundër tregohet nga rënia në nivelin 10.6% e raportit të kredive me probleme - por edhe rritjen e konkurrencës në sistem, me përfundimin e procesit të konsolidimit të sektorit bankar.

Paralelisht me zhvillimet e pritura në skenarin bazë, Banka e Shqipërisë konstaton se prezente për ekonominë. Këto rreziqe burojnë si nga ambienti i jashtëm, ku ekonomia e Eurozonës po shfaqet në ngadalësim të vazhdueshëm, ashtu dhe nga ai i brendshëm, ku tensioni politik vazhdon të induktojë pasiguri dhe ku goditje të papritura në kursin e këmbimit mund ta shmangin atë më tej nga ekuilibri. Nëse këto goditje do të jetësoheshin, thotë Banka, do të pengonin rritjen e inflacionit dhe/ose do të vononte kthimin e tij në objektiv, duke bërë të nevojshme rritjen e stimulit monetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë