Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, indeksi Fischer i çmimeve të banesave për të gjithë vendin u rrit me 6.2% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vrojtimi konfirmon perceptimin se çmimet e pronave vazhdojnë të rriten, pavarësisht goditjes së fortë në ekonomi që solli pandemia.
Sipas tij, kërkesa nga individët për blerjen e banesave ka qenë më e dobët pavarësisht kushteve të lehtësuara të kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga bankat tregtare.
Teprica e kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme është rritur. Stoku i kredisë për blerjen e tyre nga individët arriti në 127.4 miliardë lekë në fund të vitit 2020 duke u rritur me 9% në krahasim me një vit më parë.
Agjentët gjithashtu raportojnë rënie të numrit të pronave të pashitura dhe rritje në vlera mesatare të çmimeve të shitjes duke e vlerësuar në përkeqësim situatën e tregut.
Banka e Shqipërisë evidenton se kredia për ndërtim shënoi rënie krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit, por rritje në krahasim me një vit më parë.
Numri i lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë T3 2020 ishte gjithashtu më i ulët krahasuar me një vit më parë. Agjentët janë pesimistë për të ardhmen afatshkurtër të tregut, por optimistë në terma më afatgjatë.
Ky informacion merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni që përbëhët nga 230 subjekte që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme dhe ndërtimin, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së tregut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



