Viti 2022 do të ketë rritje të shpejtë ekonomike dhe të qëndrueshme e shoqëruar me përmirësimin e tregut të punës dhe kthimin në objektiv të inflacionit, sipas Bankës së Shqipërisë.
Në raportin e Politikës Monetare të prezantuar nga BSH-ja për tremujorin e katërt, paralajmëron dhe rreziqet e inflacionit afatshkurtër në kahun e sipërm, një rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare së bashku me një konsolidim më të ulët fiskal do ndikonte rritjen e inflacionit. Në të kundër, një rimëkëmbje më e ngadaltë do të frenonte rritjen e çmimeve. Megjithatë banka i qëndron opinionit se rritja e çmimeve do të jetë e përkohshme dhe nuk ka arsye pse të reagojë ndaj kësaj goditjeje.
Sipas Bankës, informacioni i ri tregon për një rimëkëmbje me ritme të shpejtë të ekonomisë. Inflacioni ka ardhur në rritje, fenomen i ngjashëm me atë global. Kjo rritje është shkaktuar nga tregjet ndërkombëtare, ndërsa presionet e brendshme mbeten të moderuara.
Banka e Shqipërisë është pozitive për rritjen e vendin në të ardhmen afatmesme. Kushtet financiare janë të favorshme për të mbështetur rritjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në nivele të qëndrueshme. Për këto arsye, norma e interesit u mbajt e pandryshuar.
Ekspertët e Bankës së Shqipërisë thanë se bankat e rajonit si Poloni e Çeki kanë rritur normat e interesit si rrjedhojë e zhvillimeve në tregjet e punës, që kanë rritur pagat duke çuar në një spirale të inflacionit.
Në vend, inflacioni ishte 2.4% në tetor, i ndikuar nga çmimet e energjisë dhe ushqimeve, ndërsa inflacioni bazë është i qëndrueshëm, pasi goditjet e ofertës nuk e kanë ndikuar inflacionin bazë (që përjashton ushqimet), i cili qëndron në nivelet e 1.5%. për këtë arsye banka vlerëson se presionet inflacioniste janë të moderuara.
Vlerësimet e bankës tregojnë se efekti i goditjeve nga ana e ofertës do jetë i pranishëm dhe në 6 mujorin e parë 2022, ndërsa parashikimet e gjithë vitit presin një korrektim për ushqimet dhe metalet e mineralet.
Rritja e pagave është ngadalësuar, kostot e punës për njësi janë në rënie për shkak se produktiviteti është rritur më shpejt se pagat, si rrjedhojë e zgjerimit më të shpejtë ekonomik përkundrejt rritjes së punësimit.
Rritja në tremujorin e dytë ishte me bazë të gjerë, ku përveç bujqësisë, të gjithë sektorët kishin kontribut negativ. Te energjia ka ndikuar pozitivisht shitja e energjisë, tek ndërtimi efekt ka dhënë rindërtimi si dhe shërbimet, që morën goditjen më të fortë nga pandemia janë rritur gjerësisht.
Banka tha se të gjithë sektorët kanë arritur nivelet e para pandemisë, madje sektori industrial dhe ndërtimi janë përshpejtuar. Në përmirësim ishte dhe konsumi dhe investimet private, që janë mbështetur nga rritja e optimizmit dhe kreditimit. Pozitivisht kanë ndikuar dhe investimet publike.
Të dhënat indirekte për tremujorin e tretë tregojë që të gjithë treguesit, me përjashtim të besimit konsumator, janë mbi mesataren afatgjatë, që tregon se ekonomia do të mbetet në një cikël zgjerues në tremujorin e tretë të vitit. Lëvizjet e njerëzve sinjalizojnë një sezon të mirë turistik. Megjithëse në përmirësim, ky tregues mbetet poshtë niveleve të tremujorit të tretë 2019.
Rritja e ekonomisë do të krijojë presione inflacioniste, thanë ekspertët e Bankës. Punësimi është përmirësuar, por mbetet poshtë niveleve të para pandemisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



