Gazeta Si – Gjykata i ka komunikuar masën “arrest në burg” për mashtrim në vlerën e 4.7 mln eurove Bruno Çobos.
Ai doli këtë të enjte para Gjykatës së Posaçme kur nuk ishin bërë as 24 orë nga mbërritja e tij nga Dubai në Shqipëri.
Togat e zeza i komunikuam masën e “arrestit në burg” që ishte marrë në mungesë, sa i takon përfshirjes së tij në rrjetin kriminal të mashtrimeve me vlerë 4.7 milion euro ndaj shtetasve italian përmes platformave të call centerave.
Në sallën e gjyqit, Çobo deklaroi se nuk e kishte shoqëruar asnjë autoritet i Emirateve apo Dubait.
“Erdha në Rinas dhe në pikën e kalimit iu komunikova se kush jam dhe cili ishte qëllimi i ardhjes time. U njoftuan shërbimet dhe më shoqëruan”, – ka thënë ai në gjykatë.
Çobo i kishte dërguar nëpërmjet postës Zyrës së Interpol Tirana një kërkesë ku i kërkon që të vetëdorëzohet e t’i krijohen kushtet për tu kthyer në Shqipëri.
Bruno Çobo akuzohet nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në mashtrimin e shtetasve italiane përmes Call Center-ave të vendosur në Tiranë.
Sipas SPAK, ky rrjet kriminal është përgjegjës për episodeve të shumta mashtrimi të kryera ndaj personave me banim në të gjithë territorin e Italisë, të cilat i kanë dhënë grupit një fitim në total prej rreth 4.7 milionë euro, që dyshohet të jetë veç një pjesë e vogël e shumës së përfituar nga grupi si rezultat i kësaj veprimtarie.
Çobo akuzohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale ”Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, ”Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Çobo akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë arritur që të mashtrojnë mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro përmes bursave fiktive me “Call Center”.
Sipas SPAK, grupi kriminal menaxhonte “Call Center”-a në Tiranë përmes mashtrimit për investime në bursë. Vetëm një italiani i vodhën 700 mijë euro.
Grupi operonte përmes një call centeri në Tiranë të cilët kontaktonin qytetarë në Itali. Personat kontaktoheshin nëpërmjet telefonit, u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon” me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta.
Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.
Viktima shkarkonte sipas udhëzimeve të telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, duke i lejuar këtij të fundit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës dhe më pas në numrat e llogarive bankare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.