Lëvizja synon të mbrojë paratë e taksapaguesve në rast të dështimit të huadhënësve.
Brukseli do të zbulojë planet për të mbrojtur më mirë taksapaguesit nga falimentimi i bankave, duke forcuar rregullat e tij për huadhënësit në vështirësi.
Komisioni Europian është në procesin e finalizimit të projektligjeve, që e bën më të lehtë transferimin e parave të depozituesve tek institucionet e shëndetshme nga institucionet bankare me probleme, ose mbylljen e një banke problematike pa tërhequr paratë e taksapaguesve.
Detajet, të cilat janë ende duke u finalizuar nga komisioni dhe mund të ndryshojnë ende, përfaqësojnë një përpjekje për të hequr kompetencat nga vendet anëtare, të cilat kanë zgjidhur vështirësitë në institucionet huadhënëse më të vogla nën regjimet kombëtare, pavarësisht ekzistencës së një kuadri të përbashkët të BE-së për zgjidhjen e problemeve bankare.
Ky plan do të kërkojë që Banka Qendrore Europiane, e cila mbikëqyr huadhënësit më të mëdhenj të Eurozonës, ose rregullatorët financiarë kombëtarë, të cilët mbikëqyrin bankat më të vogla, të japin një paralajmërim të hershëm kur një huadhënës është në rrezik të “dështimit ose ka gjasa të dështojë”.
Bordi i Vetëm për Rezolutë i BE-së (EU Single Resolution Board) u krijua në 2015, si përpjekje për të shmangur përdorimin e fondeve të taksapaguesve, siç bënë qeveritë gjatë krizës financiare.
Autoriteti pan-Europian ka fuqinë për të imponuar humbje mbi aksionerët dhe zotëruesit më të vegjël të obligacioneve të institucioneve huadhënëse të falimentuara. Por, ai ka trajtuar vetëm dy herë bankat në dështim. Vitin e kaluar, autoriteti mbikëqyri dosjen e falimentimit të degës austriake të Sberbank të Rusisë, pasi mëma e saj u godit nga sanksionet e BE-së dhe në vitin 2017 ajo transferoi Banco Popular të Spanjës, te rivali i saj më i madh Banco Santander për 1 euro.
Drafti thotë se në vend të përdorimit të kornizës së zgjidhjes së BE-së, shumë huadhënës të dështuar “janë trajtuar nën regjimet kombëtare, që shpesh përfshijnë përdorimin e parave të taksapaguesve”.
Përmirësimet do të lehtësonin zgjidhjen e huadhënësve më të vegjël, ndërsa do të përmirësonin besimin e depozituesve në sigurinë e parave të tyre, thuhej në draft. Reformat do të përforconin gjithashtu fondet e disponueshme për të mundësuar zgjidhje, duke përfshirë përdorimin e skemave kombëtare të garancisë së depozitave.
Rregullat do të duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Europian, si dhe mund të përballen me një ‘udhëtim’ të vështirë midis vendeve anëtare. Drafti pritet të finalizohet dhe të nisë në fund të këtij muaji.
Drafti është një aspekt i përpjekjes më të gjerë të BE-së, për të kompletuar Unionin Bankar, i cili ngeci vitin e kaluar në Eurogrup, pasi ministrat nuk ranë dakord për axhendën.
Propozimet kanë qenë duke u përpunuar brenda Komisionit Europian, që shumë përpara trazirave në SHBA dhe Zvicër, por zyrtarë të lartë kanë përmendur dështimet e fundit bankare si arsye të mëtejshme për një tronditje të regjimit të BE-së.
Paschal Donohoe, presidenti i Eurogrupit, tha muajin e kaluar se kolapsi i bankës Silicon Valley në SHBA “nënvizon rëndësinë e vazhdimit të Europës për të bërë përparim në bashkimin bankar”.
Burimi: Financial Times;Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




