Futboll

Broja shpërdoron 45 minuta të arta me Çelsin, Tuhel s’ka vendosur ende

Gazeta Si – Midis qëndrimit qëndrimit dhe largimit nga Çelsi, Armando Broja pati 45 minuta të ‘arta’ në dispozicion për të bindur trajnerin Tomas Tuhel. Sulmuesi i Kombëtares e nisi titullar ndeshjen miqësore me Udinezen, ku Çelsi fitoi 0-2, por pa mundur të linte shenjë.

Broja ishte protagonist i tre rasteve të pastra shënimi në zonën kundërshtare. Ai i shpërdoroi të gjitha. Duket se ishte një ditë ‘jo’ për sulmuesin kuqezi, që në pjesën e dytë nuk doli më në fushë, sepse trajneri Tuhel e zëvendësoi.

Broja gjatë miqësores me Udinezen. Gazeta Si, 31 korrik 2022

Në fakt, Broja ka meritën që arriti t’i krijonte këto raste, falë edhe lëvizjeve të tij të shpejta, por finalizimi e penalizon. Tuhel ka mbajtur shënimet përkatëse për situatën me sulmuesin e ri shqiptar, por askush nuk e ka ende të qartë se çfarë ka ai në mendje.

Klubi londinez aktualisht po përpiqet të sistemojë edhe sulmuesin gjerman Timo Verner. Largimi i tij do të lironte hapësirë për Brojën, por çdo gjë do të shihet më qartë ditët në vazhdim.

Nëse Broja do të kishte shënuar ndaj Udinezes në ato 45 minuta që qëndroi në fushë, e ardhmja e tij me siguri do të anonte edhe më shumë nga qëndrimi te Çelsi. Por shpresat për sulmuesin kuqezi nuk kanë marrë fund ende.

Klubet e tjera ndërkohë vazhdojnë të monitorojnë situatën, me ofertat gati për të rrëmbyer Brojën. Emri i tij së fundi dolin edhe te planet e së ardhmes së gjigantëve të Real Madrid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë