Futboll

Broja në planet e Realit, shumë e bukur për të qenë e vërtetë!

Gazeta Si – Në faqen e parë të spanjolles ‘As’ është shfaqur sot portreti i Armando Brojës. E përditshmja spanjolle, e njohur si një gazetë pranë Realit, e rendiste sulmuesin kuqezi në një listë prej 8 lojtarësh, të cilët shihen si kandidatë për të ardhmen e klubit madrilen.

Shumë e bukur për të qenë e vërtetë! Do të ishte vërtet e jashtëzakonshme, nëse Armando Broja do të vishte fanellën e Realit të Madridit, klubit me më shumë trofe në Ligën e Kampionëve.

Faqja e parë e ‘As’. Gazeta Si, 29 korrik 2022

Fakt është që Broja bën pjesë në listën e sulmuesve të rinj, mes të cilëve Reali mund të zgjedhë. Në këtë listë përfshihen edhe emra të tjerë të njohur të merkatos, të gjithë sulmues qendre të perspektivës. Okafor, Brobei, Kalajxhiç, Simiç, Burkardt, Ruter dhe Sesko janë emrat e tjerë të kësaj liste.

Janë të gjtihë lojtarë që kanë lënë gjurmë me skuadrat, ku janë aktivizuar sezonin e fundit. Siç bëri Broja me Sauthemptonin, ku Çelsi e huazoi sezonin e fundit. Ai shënoi gola të bukur dhe tregoi një nivel të lartë loje, ndaj dhe është në qendër të merkatos.

E ardhmja e lojtarit të Kombëtares mbetet ende pezull, me Çelsin që po vlerëson edhe mundësinë e qëndrimit. Gjithsesi, të shohësh Brojën në faqen e parë të “As’, si kandidat për sulmin e Realit, është vërtet diçka shumë e bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë