Kombetarja

Broja lë pas dëmtimin, Rei Manaj rrezikon të mbetet jashtë listës së Rejës

Në fundjavë pritet që trajneri Edi Reja të publikojë listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën, që zhvillohen më 12 dhe 15 nëntor dhe që mbyllin kualifikueset e Botërorit të Katarit.

Lajmi i mirë për kuqezinjtë është rikthimi në stërvitje i sulmuesit Armando Broja. Ai po kalonte një formë shumë të mirë me Southemptonin në Premier Ligë, ku shënoi edhe dy gola, por u ndal nga një problem fizik, që tashmë duket se e ka lënë pas dhe do të jetë i gatshëm për Kombëtaren. Me shumë mundësi, Broja do të jetë titullar ndaj kryesuesve të grupit në Londër.

Manaj me fanellen e Specias ndaj Milanit. Gazeta Si, 4 nentor 2021

Surprizë në listën e Rejës mund të jetë mungesa e Manajt, një nga sulmuesit që italiani e ka preferuar titullar në më të shumtën e rasteve, bashkë me Cikalleshin. Por Manaj po luan shumë pak me Specian si zëvendësues, ose edhe aspak. Ai është jashtë forme dhe trajneri i kuqezinjve mund të mos e ftojë këtë herë, duke qenë se edhe alternativat i ka.

Për sulmin janë të gatshëm Sokol Cikalleshi, Armando Broja, Myrto Uzuni dhe këtë herë ndoshta edhe Xhakaomo Vrioni, i cili po luan shumë mirë në Austri. Një rikthim shumë i rëndësishëm pritet të jetë ai i mbrojtësit Berat Gjimshiti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë