Kosova

Britanikët të shqetësuar: SHBA e BE po gabojnë me ndëshkimin e Kurtit

Diplomatët e politikanët në Britaninë e Madhe kanë një këndvështrim tjetër mbi tensionet që po ndodhin së fundmi në veri të Kosovës. Ata janë të shqetësuar për faktin se SHBA dhe BE po fajësojnë kryeministrin Albin Kurti. Në një artikull të ‘The Guardian’ theksohet se ndërkombëtarët po kërcënojnë një aleat me ndëshkim për shkak të mënyrës se si i ka trajtuar zhvillimet e fundit në veri. Sipas tyre, SHBA dhe BE janë duke gabuar.

“Cila është rruga më e shkurtër për të shpëtuar reputacionin përpara se Lajçak të ketë një nxitje të madhe për të ‘kaluar më shumë kohë me familjen e tij’? Nuk e kam problem që Kurti (dhe fatkeqësisht Kosova) të fajësohet dhe të ndëshkohet. Mund ta duroj edhe që Vuçiç t’i shpëtojë kësaj. Por nëse BE-ja dështon të pranojë se ajo gjithashtu ka kontribuar shumë në këtë fatkeqësi, ne mund të presim vetëm përsëritje të situatave”, ka thënë Mark Dickinson, ish i dërguar britanik në Ballkanin Perëndimor.

Një ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar tha se i dërguari i BE-së në Kosovë duhet të qëndrojë mënjanë, ndërsa kryetarja e komisionit për punë të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, paralajmëroi SHBA-në kundër ndëshkimit joproporcional të Kurtit.

“Qëndrimi që po merret ndaj Kosovës është joproporcional. Mungesa e dekurajimit të Beogradit tregon mungesë ekuilibri dhe moskoherencë strategjike. Dështimi për të penguar milicinë e armatosur, financuesit dhe mburojën e tyre rrezikon të inkurajojë përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha Kearnes.

Po ashtu, Karnes ka theksuar se Kosova duhet të lejohet të anëtarësohet në Këshillin e Europës.

“The Guardian” shkruan se diplomatët britanikë kanë frikë se përpjekjet e SHBA-së për të fajësuar Kurtin nuk shqyrtojnë shkakun rrënjësor të ngërçit, përfshirë kërkesën e BE-së që Kurti të pranojë një marrëveshje të arritur në 2013 duke i dhënë autonomi gjithëpërfshirëse një asociacioni të komunave serbe. BE-ja u përpoq ta impononte këtë si pjesë e një marrëveshjeje prej 11 pikash në bisedimet në Ohër në Maqedoninë e Veriut në mars, por asnjëra palë nuk e nënshkroi marrëveshjen. BE-ja argumentoi se marrëveshja, duke përfshirë klauzolat e vitit 2013 që siguronin njohjen e nënkuptuar de fakto të Kosovës nga Serbia, përmbushi kërkesën kryesore të Kosovës”, shkruan The Guardian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë