Bota

Britania e Madhe mban zgjedhjet parlamentare. Pritet fundi i ‘mbretërimit’ të konservatorëve

Nga Gazeta 'Si'-Britanikët po votojnë të enjten për një qeveri të re në zgjedhjet parlamentare që pritet gjerësisht të sjellin Partinë Laburiste në pushtet, në një sfond të zymtë të gjendjes ekonomike, mosbesimit në rritje në institucione dhe një strukturë të rrënuar sociale.

Një elektorat apatik po jep verdiktin e tij për Partinë Konservatore të kryeministrit Rishi Sunak, e cila është në pushtet që nga viti 2010. Vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit.

Partia Laburiste e qendrës së majtë, e udhëhequr nga zoti Keir Starmer, ka pasur një epërsi të qëndrueshme dhe domethënëse në anketat e opinionit për muaj të tërë, por udhëheqësit e saj kanë paralajmëruar që rezultati të mos merret si i mirëqenë, të shqetësuar se mbështetësit e tyre do të qëndrojnë në shtëpi.

"Ndryshimi. Sot, ju mund të votoni për të", shkroi ai të enjten në platformën e mediave sociale X.

Konservatorët kanë pranuar se laburistët duket se po shkojnë drejt fitores dhe u kanë kërkuar votuesve që të mos i japin partisë një "supershumicë".

Në ditët e fundit të fushatës, kryeministri Sunak këmbënguli se "rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është një përfundim i mirëqenë”.

Por, në një mesazh për votuesit të mërkurën, kryeministri Sunak tha se "nëse duhen besuar anketat, vendi mund të zgjohet nesër me një supershumicë laburiste të gatshme për të përdorur fuqinë e tyre të pakontrolluar". Ai u kërkoi votuesve të mbështesin konservatorët për të kufizuar fuqinë e laburistëve.

Laburitstët kanë fituar mbështetjen e një pjese të madhe të komunitetit të biznesit dhe përkrahjen nga gazetat tradicionalisht konservatore, duke përfshirë tabloidin Sun, pronë e Rupert Murdoch.

“The Sun” shkroi në një editorial se "duke kthyer partinë e tij përsëri në qendër të politikës britanike për herë të parë që kur Tony Blair ishte në numrin 10 të Doëning St., Sir Keir ka fituar të drejtën për të marrë përgjegjësinë", duke përdorur titulli zyrtar për zotin Starmer, i cili është shpallur kalorës.

Ndërkohë, konservatorët u përfshinë nga gafat. Fushata pati një fillim jo të mbarë kur shiu e bëri qull kryeministrin Sunak, ndërsa ai bëri hapjen e saj para dyerve të kryeministrisë. Zoti Sunak u kthye në shtëpi më herët nga përfundimi i përkujtimeve në Francë që shënuan 80 vjetorin e Ditës D, zbarkimit të aleatëve në Luftën e Dytë Botërore.

Disa konservatorë të afërt me kryeministrin Sunak po hetohen mbi dyshimet se ata përdorën informacione të brendshme për të vënë baste mdi datën e zgjedhjeve, përpara se ajo të shpallej.

Gjithçka e ka bërë më të vështirë për zotin Sunak që të heqë njollën e kaosit politik dhe keqmenaxhimit që kur ish kryeministri Boris Johnson dhe personeli i tij organizuan festa duke shkelur rregullat e mbylljes gjatë pandemisë së COVID-19.

Pasardhësja e zotit Johnson, Liz Truss, tronditi ekonominë me një paketë uljesh drastike të taksave dhe ajo qëndroi vetëm 49 ditë në detyrë. Ekziston një pakënaqësi e përhapur për një sërë çështjesh, që nga një sistem i rrënuar i kujdesit shëndetësor publik deri te infrastruktura e shkatërruar.

Por për shumë votues, mungesa e besimit nuk vlen vetëm për konservatorët, por për politikanët në përgjithësi. Veterani i së djathtës, Nigel Farage, ka shfrytëzuar situatën duke tërhequr vëmendjen me retorikën e tij kundër imigracionit.

Liberal Demokratët e qendrës dhe Partia e Gjelbër, synojnë gjithashtu votuesit e pakënaqur.

Dhe ndërsa priten ndryshime të brendshme, analistët pohojnë se një fitore e opozitës nuk pritet të nxisë ndryshime të rëndësishme në politikat britanike ndaj çështjeve madhore globale, si agresioni rus në Ukrainë, apo lufta në Lindjen e Mesme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë