Ka ndodhur

Breshëri shkatërron qindra hektarë grurë në Korçë pak ditë para korrjes

Gazeta Si – Nëse Tirana dhe qytetet të tjera të vendit po digjen nga temperaturat e larta, një mot i pazakontë po mban në qarkun e Korçës.

Një ditë më parë, reshje të dendura shiu dhe breshëri kanë përfshirë këtë zonë, duke shkaktuar probleme të mëdha sidomos tek fermerët.

Breshëri i rënë gjatë pasdites së të enjtes ka shkatërruar qindra hektarë të mbjella. Dëme më të shumta ka pasur në fshatrat Orman, Rrëmbec, Pendavinj dhe Pojan, ku breshëri ka rrafshuar mbi 400 hektarë sipërfaqe të mbjella me grurë.

Fermerët pohojnë se kanë humbur thuajse gjithë prodhimin e grurit,i cili për pak ditë do të korrej dhe dilte në treg.

Nga breshëri nuk kanë shpëtuar pa dëme as kulturat e tjera bujqësore si dhe drufrutorët.

Bashkitë e Maliqit dhe Devollit kanë ngritur grupe pune për verifikimin e dëmeve, raporti i të cilave i  dërgohet Ministrisë së Bujqësisë.

“Për 7-8 ditë duhet të fillonte korrja. Në këtë periudhë, gjysmë ore breshër që ra pa pushim dhe i furishëm, shkatërroi gati 95% të prodhimit”, – thotë një fermer i zonë së Maliqit.

Ata thonë se ajo që ka mbetur pa u dëmtuar është një sasi e vogël dhe e pamjaftueshme as për konsum familjar.

“Është një tërmet për ne. Unë prisja të merrja rreth 2000 kuintal grurë, tani marr a s’marr 300-400 kuintalë”.

I gjithë investimi dhe prodhimi i vitit është hedhur poshtë brenda më pak se një ore, duke shkatërruar qindra hektarë të mbjella.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë