Futboll

Brentfordi i Strakoshës trondit Sitin, Arsenali në krye para Botërorit

Gazeta Si – Granit Xhaka me shokë do t’i kalojnë festat e fundvitit si kryesues të Premier Ligës. Humbja e papritur e Mancester Sitit në fushën e Brentfordit ka bërë që Arsenali të ruajë vendin e parë (2 pikë para Sitit) para ndërprerjes së kampionatit për Botërorin e Katarit.

Skuadra e Tomas Strakoshës ka bërë goditjen e madhe në ‘Etihad’, ku fitoi 1-2. Brentfordi kaloi në avantazh i pari me sulmuesin Tonei, të cilin Southgejt e snoboi për Botërorin. Kampionët e Anglisë barazuan me Foden, ndërsa në shtesën e gjatë të ndeshjes Tonei realizoi edhe golin e fitores.

Brentfordi mban vendin e 10-të, me 19 pikë në 15 ndeshje në këtë pjesë të parë të sezonit. Siti mbetet në kuotën e 32 pikëve dhe duhet theksuar se ka pasur një lloj rënieje në dy ndehsjet e fundit.

Portieri kuqezi, Tomas Strakosha, mungoi në këtë ndeshje për shkak dëmtimi. Sezoni i tij i parë në Premier Ligë nuk ka shkuar sipas parashikimeve. Vendin e titullarit të portës e ka spanjolli Raja, i grumbulluar nga trajneri Luis Enrike për në Botërorin e Katarit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë