Nga Gazeta Si- Qeveria do të mbyllë Tik-Tok-un për 1 vit, aq kohë sa i nevojitet për të biseduar me drejtuesit e kompanisë për filtrat që mund të vendosen më tej.
Mbyllja e përkohshme do të vijë brenda disa ditësh ose për një javë e pak. Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu tha se qëllimi final nuk është mbyllja përfundimtare e TikTok, por vendosja e filtrave dhe për këtë kanë nisur komunikimet me përfaqësuesit e platformës kineze.
“Do të flasim për rihapje nëse do të kemi siguri për filtrat dhe për një lundrim të sigurt”.
“Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto paltforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Kemi nisur një komunikim me Tik Tok që ka të bëjë me marrjen e masave të mëtejshme, duke vendosur këto filtra ndalojmë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme. Është mbyllje e përkohshme e aksesit në Tik Tok, i kemi dhënë vetes deri në 12 muaj kohë, që të marrim të gjitha masat e nevojshme. Do të jetë Agjencia kombëtare e sigurisë kibernetike, brenda disa ditëve do të mundet të realizojë këtë ndërprerje të përkohshme të aksesit në Tik Tok”, tha Manastirliu.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave e publikuar këtë të enjte, theksohet se “ndërprerja e platformës on-line “TikTok” do të zgjasë deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta”.
Pas vendimit për mbylljen TikTok, reagoi dhe kryeministri Edi Rama, i cili njofton se së shpejti do të vijnë në Shqipëri përfaqësuesit e kompanisë kineze për të paraqitur masat për rritjen e sigurisë te fëmijët.
Vendimi për mbylljen e TikTok u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.