Dokumentar

Brenda biznesit të mizogjinisë!

Gjatë dy viteve të fundit, krijime si seriali “Adoleshenca” janë siguruar që audienca të kuptojë ekosistemin digjital të misogjinisë, antifeminizmit dhe pakënaqësive të burrave që njihet si “manosphere”.

Gazetari Louis Theroux ka zbuluar më shumë nga ky mjedis i rrezikshëm, në dokumentarin e tij të fundit në Netflix “Inside the manosphere”, ku flet për personazhet që udhëheqin këtë kulturë.

Në stilin e tij të matur dhe ndonjëherë të rrezikshëm, Theroux gjurmon jo vetëm retorikën e “burrave me vlerë të lartë”, por edhe formatet e transmetimit të drejtpërdrejtë dhe modelet e biznesit që mbështesin këtë botë. Rezultati është edhe ndriçues dhe shqetësues

Një ideologji tinëzare

Ajo që del në pah në dokumentarin investigativ të Theroux nuk është thjesht provokim, por një botëkuptim i qartë mizogjen. Përmes intervistave dhe përmbajtjes së vetë influencerëve, shfaqet mbrojtja e një hierarkie gjinore regresive dhe përpjekjet për ta rikthyer atë.

Gratë përshkruhen si të vlefshme për shkak të bukurisë dhe seksualitetit të tyre, por njëkohësisht konsiderohen më pak racionale dhe emocionalisht të paqëndrueshme. Monogamia paraqitet si detyrim për gratë, por si zgjedhje për burrat. Barazia gjinore fajësohet për rënien kulturore.

Në disa raste, gjuha bëhet hapur autoritare. Influenceri i njohur Myron Gaines i thotë Theroux se ai e sheh veten si një “diktator” në marrëdhënien e tij romantike. Ai e paraqet intimitetin si diçka që ai e lejon, ndërsa kujdesin shtëpiak si një detyrim ndaj burrave.

Megjithatë, Gaines mohon se është mizogjen; ai pretendon se i do gratë, por se ato nuk e dinë çfarë duan dhe duhet të udhëhiqen.

Hipokrizia është e dukshme. Disa figura të këtij ekosistemi, si Harrison Sullivan, kritikojnë publikisht gratë që përdorin platforma si OnlyFans, ndërkohë që pretendohet se përfitojnë privatisht duke menaxhuar llogaritë e tyre.

Mizogjinia si model biznesi

Theroux tregon gjithashtu se si formohen audiencat e këtyre influencerëve.

Në një skenë të hershme, djem të vegjël (me fytyra të paidentifikuara) përsërisin me lehtësi shqetësuese fraza që shprehin urrejtje ndaj grave dhe komunitetit LGBTQ+. Më pas, të rinj flasin për mungesë vlere personale nëse nuk arrijnë pasuri, status dhe dominim. Puna e zakonshme 9 me 5 paraqitet si nënshtrim ndaj “matrixit”, ndërsa “lufta për sukses” shihet si liri.

Ankesa se një punë e qëndrueshme nuk garanton më siguri përfshin shumë njerëz. Por në ‘manosferë’, vështirësitë ekonomike shndërrohen në dështim personal: nëse nuk ja del, nuk ke punuar mjaftueshëm. Kjo nuk është vetëm ideologji, është një model biznesi.

“Akademitë” me pagesë, grupet private dhe programet e mentorimit kthejnë pasigurinë në fitim. Në një shembull nga dokumentari, influenceri amerikan Justin Waller promovon “The Real World”, një universitet online i drejtuar nga miku dhe partneri i tij Andrew Tate (i cili përballet me akuza për përdhunim dhe trafikim njerëzor në disa vende).

Djemve dhe të rinjve u thuhet se janë të paplotë nëse nuk janë të pasur, muskulozë dhe emocionalisht të pathyeshëm, dhe më pas u kërkohen para për të fituar mentalitetin që supozohet se do t’i “rregullojë”. Kjo hierarki, që ngre lart burrat dominues dhe ul gratë, shfrytëzon njëkohësisht edhe vetë djemtë që janë poshtë saj.

Një botëkuptim që shkon përtej provokimit

Ky botëkuptim nuk kufizohet vetëm te provokimi. Në një pjesë të dokumentarit, partnerja e Waller, Kristen, shprehet se ndihet e përmbushur duke qëndruar në “rolin e saj”, duke u kujdesur për fëmijët dhe shtëpinë, ndërsa ai është furnizuesi dhe drejtuesi.

Ajo flet pozitivisht për “energjinë mashkullore dhe femërore”, duke e paraqitur pabarazinë jo si kufizim, por si rehati, edhe pse mësohet se ajo nuk ka asnjë të drejtë ligjore mbi pasurinë e tij, pasi nuk janë të martuar ligjërisht.

Terren për teori konspirative

Paralelisht me narrativën e suksesit, zhvillohet edhe një linjë teorish konspirative. “Matrixi” përdoret si metaforë për sistemet shoqërore që supozohet se i mbajnë burrat të nënshtruar dhe të pavetëdijshëm për rrugë alternative drejt pushtetit.

Më pas, kjo shndërrohet në ide për elita të fshehta që, sipas tyre, po shkaktojnë rënie kulturore dhe morale, si dhe po dobësojnë rolin e burrave në shoqëri (madje në mënyrë të çuditshme e lidhin këtë me rritjen e pedofilisë).

Disa nga këta influencerë sugjerojnë se zhvillime politike të fundit, si ngritja e Donald Trump, e vërtetojnë botëkuptimin e tyre.

Theroux përpiqet të kthehet te historitë personale të këtyre figurave, si mungesa e figurës së babait apo rritja në kushte të paqëndrueshme. Ky qasje i jep një dimension njerëzor historisë, por njëkohësisht e zhvendos drejt simpatisë dhe e lidh problemin me traumën.

Megjithatë, mizogjinia nuk ka nevojë për traumë për të ekzistuar, dhe shumica e djemve që përballen me vështirësi nuk përqafojnë ide të tilla. Këto janë ideologji të strukturuara, të rrënjosura në hierarki të vjetra gjinore, të ripaketuara dhe të shpërndara në shkallë të gjerë.

Pasojat në jetën reale

Dokumentari pranon se ka pasoja për gratë, por nuk ndalet gjatë në këtë aspekt.

Një pjesë mbi shkollat tregon përhapjen e gjuhës mizogjene tek djemtë përmes materialeve mediatike. Megjithatë, dokumentari mund të kishte bërë më shumë për të theksuar ndikimet reale të manosferës.

Studimet tregojnë se këto narrativa janë përhapur në shkolla në nivel ndërkombëtar, duke çuar në rritje të ngacmimeve dhe dhunës me bazë gjinore ndaj vajzave dhe mësueseve, si dhe duke ndikuar negativisht në pjesëmarrjen e tyre.

Theroux ka të drejtë kur thotë se, në një farë mënyre, të gjithë po jetojmë tashmë brenda manosferës. Të kuptuarit e asaj që i shtyn këta burra është e rëndësishme, po aq sa edhe vëmendja ndaj pasojave reale që shkaktojnë./TheConversation


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë