Shendet

Brenda biznesit fitimprurës të prerjes së perit të gjuhës tek fëmijët

Tess Merrell kishte ushqyer me gji tre foshnja dhe nuk priste kurrë probleme me të katërtin. Por pas një muaji luftë me të porsalindurin, ajo punësoi Melanie Henstrom për ndihmë.

Henstrom, një këshilltare për laktacionin, identifikoi një fajtor: gjuha e foshnjës ishte e lidhur deri në fund të gojës. Ishte një problem i zakonshëm dhe mund të rregullohej me një procedurë të shpejtë tek dentisti.

Henstrom rekomandoi një dentist, i cili në dhjetor 2017 i preu perin nën gjuhën e foshnjës me një lazer. Brenda pak ditësh, foshnja, Eleanor, refuzonte të hante dhe ishte dehidratuar në mënyrë të rrezikshme, tregojnë të dhënat mjekësore. Ajo i kaloi Krishtlindjet e saj të para në një tub ushqimi.

Për shekuj me radhë, mamitë dhe mjekët kanë prerë “perin e gjuhës” për të lehtësuar ushqyerjen me gji. Por popullariteti i procedurës ka shpërthyer gjatë dekadës së fundit pasi gratë përballen me presion në rritje për të ushqyer foshnjën.

“Konsulentët e gjidhënies dhe dentistët kanë promovuar në mënyrë agresive procedurat, edhe për foshnjat pa shenja të lidhjeve të vërteta të gjuhës dhe pavarësisht një rreziku të lehtë të komplikimeve serioze”, zbuloi një hetim i NeW York Times.

Një pjesë e vogël e foshnjave lindin me një tufë indesh që lidh majën e gjuhës së tyre në fund të gojës. Në disa raste të theksuara, mjekët e presin atë ind. Por shumë lidhje gjuhësore janë të padëmshme dhe provat se prerja e tyre përmirëson të ushqyerit janë të pakta.

Megjithatë, disa konsulentë të gjidhënies dhe dentistë parashtrojnë mundësinë e kirurgjisë me lazer për nënat në ankth dhe të rraskapitura si Merrell si një kurë që do të përmirësojë ushqyerjen me gji dhe do të parandalojë një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë apnenë e gjumit, pengesat në të folur dhe kapsllëkun.

Diagnostifikimi dhe prerja e këtyre “lidhjeve orale” është bërë një industri e veçantë tashmë në Amerikë.

Një dentist i mirënjohur në Manhatan merr miliona dollarë në vit nga praktika e tij e lidhjes së gjuhës. Konsulentët e laktacionit që referojnë pacientët dhe ndihmojnë dentistët paguhen gjithashtu. Dhe kompanitë që prodhojnë lazer po përfitojnë gjithashtu.

Është e vështirë të llogaritet vëllimi i operacioneve, të cilat shpesh nuk mbulohen nga sigurimet por nga të gjitha llogaritë shifrat janë në rritje.

Nga të dhënat e spitaleve, këto ndërhyrje janë shtuar me 12 mijë nga viti 1997 deri në 2012.

Doktorët në 25 shtete thanë se kishin parë rritje të mprehtë të kërkesave për konsultime për perin e gjuhës, ndonjëherë duke tejkaluar oraret e tyre. Dhe kërkimet për “perin e gjuhës” në Google arritën një rekord në qershor, më shumë se dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit.

Shumë familje janë të lumtura pas ndërhyrjes por bumi i heqjes së perit të gjuhës ka nervozuar pediatrit në të gjithë Amerikën.

Në vitin 2020, një pediatër në Nju Xhersi u dërgoi një email familjeve duke paralajmëruar se foshnjat “po këputeshin dhe kishin gjendje lodhjeje me një shkallë alarmante”. Vitin e kaluar, një zyrë në Kentaki lëshoi një alarm të ngjashëm, duke përmendur foshnjat që refuzuan të hanin dhe kishin “dhimbje të forta” pas procedurave me lazer.

Charles Cavallo i tha The Times se ai e shkroi atë alarm në përgjigje të asaj që ai e shihte si një “rrëmbim parash” nga dentistët vendas dhe konsulentët e laktacionit.

Komplikimet serioze janë të rralla por mjekët thanë se kishin parë prerjet që shkaktonin dhimbje të tilla, saqë foshnjat refuzuan të hanë, duke u dehidratuar dhe kequshqyer. Disa thanë se pas prerjes së perit të gjuhës, foshnjat kishin probleme me frymëmarrjen.

Disa prindër thanë se duke parë fëmijët në një gjendje jo të mirë, kaluan në depresion. Të tjerë shpenzuan mijëra dollarë për terapistë të të folurit, të cilët pretenduan se shërbimet e tyre ishin të nevojshme për rikuperime të të folurit.

Ndryshe nga shumica e specialiteteve mjekësore në Amerikë, bota që lidhet me gjuhën funksionon me pak mbikëqyrje. Bordet dentare shtetërore pranojnë ankesa nga publiku, por ato rrallëherë pezullojnë licencat e dentistëve. Dhe vetëm tre shtete rregullojnë konsulentët e laktacionit.

Henstrom, për shembull, ka vazhduar të ushtrojë praktikën si konsulente laktacioni në Boise, pavarësisht se punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe klientët kanë bërë vazhdimisht ankesa për të.

Në një telefonatë të shkurtër, Henstrom tha se i kushtonte vëmendje të kujdesshme çdo klienti.

“Unë kam mijëra njerëz që janë të lumtur me atë që po bëj,” tha ajo. Ajo nuk iu përgjigj një liste pyetjesh të detajuara.

“Fitimi, lakmia dhe injoranca”

Ideja se lidhja e gjuhës mund të ndërhyjë në ushqyerjen me gji ka ekzistuar prej shekujsh. Mamitë përdornin dikur një thonj të gjatë dhe të mprehtë për të “grisur” indin poshtë gjuhës së foshnjës. Në vitin 1601, një kirurg mbretëror preu gjuhën e Louis XIII, mbretit të ardhshëm të Francës.

Por mjekët gjithashtu kanë ngritur alarme për këtë procedurë. “Shpesh prindërit mashtrohen, për përfitime, lakmi dhe injorancë,” shkroi një mjek obstetër gjerman në 1791.

Me ardhjen e formulës së prodhuar në masë në shekullin e 20-të, ushqyerja me gji ra dhe peri i gjuhës u diskutua rrallë. Kjo filloi të ndryshojë në vitet 1970, pasi ushqyerja me gji u rikthye.

Thithja nga një shishe është e lehtë. Por për të ushqyer me gji, foshnjat duhet të mësojnë të përdorin gjuhën e tyre për të nxjerrë qumësht.

Konsulentët e specializuar të laktacionit si Alison Hazelbaker filluan asokohe të mësonin teknikat si mund të ndihmonin fëmijët.

Disa foshnja që ajo pa në vitet 1980 kishin lidhje të dukshme gjuhe që i pengonin ata të ushqeheshin me gji, tha ajo, por pediatrit dinin pak për gjendjen. Në vitin 1993, ajo zhvilloi një mjet për perin e gjuhës që është ende në përdorim.

Në atë kohë, pediatrit i bënin prerjet me gërshërë.

Por në vitin 2004, një artikull në buletinin e Akademisë Amerikane të Pediatrisë sugjeroi se një gamë më e gjerë foshnjash mund të përfitonin. Një kirurg pediatrik dhe një konsulent laktacioni shkruan se disa pacientë kishin lidhje delikate në pjesën e pasme të gjuhës. Të tjerë kishin inde që lidhin fort buzët me mishrat e dhëmbëve. Secila prej këtyre lidhjeve, paralajmëruan autorët, mund të pengojë ushqyerjen me gji.

Në vitin 2020, një panel prej 16 specialistësh të veshit, hundës dhe fytit publikuan udhëzime duke paralajmëruar se peri i gjuhës po mbidiagnosohej.

Me ose pa operacion, ushqyerja me gji shpesh përmirësohet me kalimin e kohës, duke e bërë të vështirë përcaktimin e shkakut dhe efektit.

Para prerjes së perit të gjuhës, unë qaja me ngashërim nga dhimbjet”, thotë Adrianne Parkey, foshnja e së cilës lindi këtë muaj. Pas ndërhyrjes, tha ajo, ndjeu lehtësim të menjëhershëm. Disa kërkime kanë treguar se procedura redukton dhimbjen e gjirit.

Procedurat duket se janë më të njohura se kurrë. Edhe disa nga përkrahësit e tyre fillestarë tani shqetësohen se po bëhen shumë ndërhyrje.

“Kam shqetësime të mëdha,” thotë Catherine Watson Genna, nkonsulente laktacioni në Nju Jork, e cila bashkë-shkruajti artikullin e buletinit të vitit 2004. Hulumtimet më të reja, tha ajo, kanë treguar se disa foshnja mund të cilësohen sikur kanë perin e gjuhës, kur në fakt ata kanë probleme të tjera që kufizojnë gjuhën.

Ndërsa problemet e ndërhyrjes së perit të gjuhës janë të rralla, ato mund të jenë të vështira për familjet.

Në Montana, një dentist i preu perin e gjuhës vajzës së Clara Reck në nëntor 2022. Reck tha se foshnja e saj humbi aftësinë për të thithur. Të dhënat mjekësore tregojnë se ajo ra nga pesha në tre muaj. Deri në muajin e kaluar, vajza e saj vazhdonte të ushqehej me tub.

Në Delaëare, Nicole Aaronson, kirurge pediatrike tha se javën e kaluar, ajo pa një djalë 11-ditor i cili u shtrua në spital për humbje peshe për shkak të dëmtimit të gjuhës nga një procedurë lazer.

“Ai do të shërohet dhe përfundimisht do të bëjë mirë, por kjo tregon se këto procedura nuk janë pa rrezik,” tha ajo.

Kompanitë që prodhojnë lazerët po kujdesen për këtë treg të ri.

Një kompani, Biolase, shet një makinë lazer 80,000 dollarë. Në prill, ai bëri një konferencë në një vendpushim në Scottsdale, Ariz., për më shumë se 100 dentistë, pediatër dhe kolegë të tyre. U quajt “Tekila dhe peri i gjuhës”.

Përpara raundeve me tekila dhe margarita, të pranishmit u trajnuan se si të bënin ndërhyrje për perin e gjuhës dhe të përdornin mediat sociale për të ndërtuar bizneset e tyre.

Shefi ekzekutiv i Biolase, John Beaver, tha se ai mendonte se kjo ndërhyrje ishte e dobishme për pacientët.

Soham Roy, drejtori i Spitalit të Fëmijëve në Kolorado, ka operuar foshnjat e lënduara nga lazeri.

“Ka disa njerëz që ose blejnë ose marrin me qira këta lazer dhe i përdorin ato si makina për të bërë para,” tha ai.

Burimi: New York Times. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë