Futboll

Bremer zbarkon te Juventusi, klubi bardhezi e rrëmben për 41 mln euro

Gazeta Si – Mbrojtësi brazilian, Gleison Bremer, ka zbarkuar te Juventusi. Këtë mëngjes ai ka shkuar në ‘J Medical’ për testet mjekësore, që do të japin ‘ok’-in për fillimin e aventurës së tij me ‘Zonjën’.

Lojtari mbërriti mbrëmë në Kazele, pas ditës vendimtare të bisedimeve për ta rrëmbyer para Interit. Nga kjo lëvizje Torino përfiton 41 milionë euro, plus 9 milionë nga bonuset.

Brazilianit i është bërë një pritje e ngrohtë nga tifozët, kur ai mbërriti në ‘J Medical’. Bremer është pritur me entuziazëm, me flamuj të Brazilit dhe Juventusit. Nuk kanë munguar fotot e rastit.

Mbrojtësi 25-vjeçar erdhi nga Austria, ku Torino po zhvillon përgatitjet. Ai do të qëndrojë në të njëjtin qytet, jo më me fanellën ‘garanata”, por me atë bardhezi të Juventusit. Klubi bardhezi e siguroi Bremer para Interit me një ofertë finale prej 41 milionë eurosh.

Bremer jep autografë për tifozët e Juventusit. Gazeta Si, 20 korrik 2022

Braziliani do të ketë një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon te Juventusi, plus bonuset. Tani pritet firma në kontratë dhe prezantimi zyrtar i lojtarit te Juventusi. Bremer do të zëvendësojë holandezin De Ligt, që është prezantuar te Bajerni i Mynihut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë