Gazeta Si – Nejmar mungoi në homazhet dhe ceremoninë mortore të Pelesë, çka bëri që në Brazil të vërshojnë sulmet ndaj tij. Sulmuesi i PSG-së nuk mori ok-in nga klubi dhe nuk mundi të kthehej në Brazil për lamtumirën e ‘O Rei’. Mungesa e tij gjithsesi është komentuar me kritika të forta.
E gjithë bota e futbollit u ndal për t’i bërë homazh Pelèsë. Në stadiumin e Santosit shkuan shumë njerëz, njerëz të thjeshtë dhe ish-futbollistë e autoritete të ndryshme. Por dikush, si Nejmar, nuk mundi të ishte i pranishëm. Sulmuesi brazilian nuk mori leje nga klubi, edhe pse nuk e aktivizoi në ndeshjen me Lens, pasi ishte i skualifikuar.

Nejmar nuk udhëtoi drejt Brazilit dhe ky veprim nuk është pritur aspak mirë. E tregojnë qartë fjalët e prezantuesit José Luiz Datena gjatë programit ‘Brasil Urgente’. Ai e ka quajtur të turpshme mungesën e numrit 10 të kombëtares braziliane.
“Nëse donte të vinte, do të kishte ardhur, – ka thënë Datena. – Do t’i kishte bërë presion PSG-së për të ardhur. Ka bërë presion për të ardhur në festa, mund të merrte lejë për t’i dhënë lamtumirën Pelèsë. Nejmar, si futbollist brazilian, ishte i detyruar të vinte, ishte e rëndësishme për gjithë futbollin brazilian”.
Të njëjtin reagim kanë pasur edhe tifozët e Santosit, ish-skuadrës, të cilët nuk e imagjinonin se Nejmar do mungonte në një moment historik si ky për klubin. Sipas ‘AS’, Nejmar është në dijeni të kësaj situate dhe ai kërkoi të atit ta përfaqësonte në funeralin e ‘O Rei’.

Dhe babai ka folur për shtypin në vend të të birit. “Nejmar më kërkoi të vija këtu me shumë trishtim. Shpresoj t’i jap mbështetje familjes në vend të tij, sepse e dimë të gjithë sa e trishtueshme është të humbasësh dikë. Nuk kemi humbur vetëm një sportist, por edhe një qytetar, kemi humbur Pelè”. Fjalë, që me siguri nuk mjaftojnë për të ndalur polemikat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




