Kush ishte më i mirë – Pele apo Maradona? Pyetje që ka nxitur mjaft debate dhe do të vazhdojë kështu edhe për një kohë të gjatë. Rivaliteti mes dy yjeve më të mëdhenj të historisë së futbollit Pele e Maradona, vazhdon edhe tani që argjentinasi sheh lart nga qielli. Kjo natyrisht në kuptimin simbolik, sepse pasi San Paolo, stadiumi i Napolit, mori emrin Diego Maradona pas ndarjes nga jeta të Pibe de Oro, edhe Pele do të ketë stadiumin e tij, duke u bërë i vetmi që jeton për ta parë një nder të tillë.
Deputetët e Asamblesë Legjislative të shtetit të Rio de Janeiro kanë miratuar, në emergjencë, projekt-ligjin për ndryshimin e emrit zyrtar të stadiumit Maracana nga ‘Mário Filho’ në ‘Edson Arantes do Nascimento – Rei Pele’. Projekt-ligji ka nevojë për aprovimin nga guvernatori në detyrë, Claudio Castro, për t’u bërë ligj dhe u miratua me një votim simbolik.
Kështu paraqiti rezolutën e votuar, autori i projektit, Andrè Ceciliano, një anëtar i asamblesë legjislative të Rio: “Mário Filho ishte një gazetar jashtëzakonisht aktiv në sektorin e sporteve. Pele ishte lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në planet. Ai ka përfaqësuar Brazilin. Nuk kam dyshim se Maracana do të vazhdojë të quhet e tillë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




