Motosport

Braun i shkruan FIA-s: Red Bull ka mashtruar për limitin e shpenzimeve

Gazeta Si – Numri 1 skuderisë MekLaren, Zak Braun, kërkon një dënim shembullor për Red Bull-in. Sipas tij, një gjobë nuk mjafton në këtë rast, sepse bëhet fjalë për një avantazh të madh për zhvillimin e makinës në 2021-shin dhe 2022-shin.

Red Bull-i nuk ka rivalë vetëm Ferrarin dhe Mercedesin, mesa duket. Shkelja e rregullave të ‘budget cap’ (limiti i shpenzimeve) në 2021-shin nga skuderia që fitoi Botërorin me Maks Vershtapen, ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te të gjitha skuadrat e F.1. Kjo edhe për faktin se Red Bull-i është i vetmi që e ka kaluar tavanin e shpenzimeve të lejuara (Aston Martin kishte vetëm një shkelje proceduriale).

Mjaft nervoz është shfaqur Zak Broun, kreu i MekLarenit, gjithmonë përkrahës i fortë i rregullores së re. BBC zbulon se drejtuesi amerikan i ka dërguar një letër FIA-s, ku kritikon ashpër atë që ka ndodhur me Red Bull-in.

Zak Braun, drejtues i MekLarenit. Gazeta Si, 17 tetor 2022

Braun thekon në letër se mosrespektimi i ‘budget cap’ dhe shkeljet proceduriale “përbëjnë një mashtrim, duke përfituar një avantazh domethënës në raport me rregulloret teknike, sportive dhe financiare. Një skuadër që ka shpenzuar përtej limitit ka pasur një avantazh të padrejtë në zhvillimin e makinës për sezonin e kaluar dhe atë aktual”.

MekLaren ka kërkuar nga FIA një ndëshkim të ashpër dhe jo vetëm një gjobë, që nuk mjafton për rastin në fjalë. Sanksionet ekonomike dhe sportive mund të jenë të shumta për një shkelje në më pak se 5% të ‘budget cap’, siç është ajo e Red Bull-it. Gjasat janë që të shkohet në reduktim të shpenzimeve për sezonin e ri e deri në një gjobë prej 2 milionë dollarësh.

Braun kërkon transparencë për çështjen dhe komunikim publik të detajeve të shkeljes dhe të sanksioneve të mundshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë