Shendet

Brataj: Rritja e rasteve është për shkak të nënvariantit BA.5

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se rastet e shumta në vendin tonë mund të jenë për shkak të nënvarianti BA.5.
Në një intervistë për mediet Brataj u shpreh se, zyrtarisht nuk ka konfirmim sepse sigurisht që mostrat do të merren nga personat që janë infektuar dhe duhet të vijmë para virusit që ta vërtetojmë.

LEXO EDHE:
COVID-19/ Shifrat vetëm rriten, 1563 të infektuar dhe 1 humbje jete në 24 orët e fundit

“Ne si klinicistë, si mjekë, e dimë shumë mirë që pavarësisht mostrës, sëmundja duket. Unë mendoj për faktin që sa shpejt po përhapet, që është e njëjtë me atë të Afrikës së Jugut, mendoj që është prezent nënvarianti i ri sepse e kemi në të gjithë vendet rreth e rrotull dhe sigurisht që nuk mund të jemi të përjashtuar nga kjo”, u shpreh Brataj.

Më tej mjeku tha se simptomat e këtij nën varianti janë pak të ndryshme nga nënvariantet e tjera dhe për ekspertët e shëndetit publik nuk konsiderohet agresiv.
Brataj tha se kohëzgjatja e sëmundjes është 2-3 ditë, maksimumi 4 ditë nëse kapin format e lehta dhe të mesme.

“Në përgjithësi ky nënvariant është i përqendruar në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, pa dëmtuar mushkëritë. Mund të shoqërohet me dëmtimin e aparatit tretës, në formën e diarresë, e jep rrufë”, shton Brataj.
Ai thekson se mund të ketë dhe temperaturë që zgjat pak. Ndërsa për t’u negativizuar sipas Bratajt duhen 7-8 ditë.

Në raportimin e djeshëm të ministrisë së shëndetësisë u vërejt një numër i lartë rastesh, rreth 1563. Duke bërë një përllogaritje rezulton se përqindja e pozitivitetit është 46%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë