Nga Gazeta Si- Erion Braçe ka reaguar i indinjuar pas akuzave të Belind Këlliçit se në zyrën e deputetit socialist po kryheshin krime zgjedhore.
Në një video në Instagram Braçe hedh poshtë këto akuza dhe e akuzon demokratin se ka marrë zvarrë gra dhe ka goditur një burrë. Braçe thekson se i ka treguar Këlliçit çdo cep të zyrës së PS dhe thotë se ka shkuar atje që të mos preken socialistët.
“Unë kam shkuar në një zyrë pune për shkak se një bandë e PD ka tërhequr zvarrë gra dhe ka goditur një tjetër burrë atje. Këta kanë vrarë socialistë e di”, tha Braçe, duke përmendur 21 janarin “dhe nuk janë penduar por nuk ndodh kurrë që të prekin dhe një socialist të vetëm dhe për këtë arsye kam shkuar atje”.
Braçe thotë se Belind Këlliçin e ka thirrur ai vetë në zyrë dhe i ka treguar edhe ambientet e zyrës.
“Më ka thënë që unë nuk dyshoj se ti ke blerë vota, apo ke vjedhur vota. Nuk e bën ti këtë as ti as Majko, as Xhafaj”, tregon Braçe.
Braçe mohon akuzat e Këlliçit për blerje votash dhe thekson se soji i këtij të fundit e bëjnë këtë. Socialisti thotë se procesverbali që ka mbajtur policia në sy të Këlliçit ka evidentuar vetëm kokoshkat në zyrën e punës të PS, asgjë tjetër.
“Nuk kam pasur kurrë lekë të blej vota që nga viti 1996 e këtej. Dhe nuk e bëj unë. Belindi dhe gjithë soji i tij e bëjnë këtë punë, unë jo. Dhe nuk ka një provë të vetme”.

Reagon policia: Nuk u gjetën materiale kompromentuese
Lidhur me incidentin e supozuar nga ana e Partisë Demokratike në rrugën “Marko Boçari” në Tiranë, ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar Policia.
Pas kontrolleve të kryera në ambientin që Belind Këlliçi ka denoncuar se funksiononte si zyrë elektorale, thuhet se nuk është gjetur ndonjë material komprementues.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm pranë SPAK, janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, për dokumentimin e një rasti të pretenduar sot, më datë 11.05.2025, në një ambient në rrugën “Marko Boçari”, Tiranë, ku eshte pretenduar për veprimtari të paligjshme zgjedhore. Rreth orës 17:50, pas një njoftimi të bërë nga Belind Këlliçi, përfaqësues i Partisë Demokratike, shërbimet e Policisë shkuan në vendin e pretenduar dhe konstatuan disa shtetas pranë dhe brenda një ambienti privat, që sipas kallëzuesve funksiononte si zyrë elektorale, pa shenja identifikuese, për Partinë Socialiste. Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshem. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike.”
Për kallëzimin e socialistit Erion Braçe, shton se do të mblidhen pamjet filmike dhe çdo provë tjetër për dokumentimin e ngjarjes.
“Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar. Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë”, – vijon njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.