Para

Braçe: Pullat fiskale të bëhen digjitale. Bashkë me koncesionin e markimit kanë përfituar miliona euro nga shqiptarët

Nga Gazeta ‘SI’ – Në vazhdim të diskutimit në Kuvend për shtetëzimin e pullave fiskale, Erion Braçe sugjeroi një qasje të re.

Pullat, sipas ministrit të Financave Ervin Mete ka qenë koncesioni më i shtrenjtë për shtetin, deputeti socialist propozoi pulla digjitale.

“Që nga 2012-a deri dje ka qenë pulla më e shtrenjtë e aplikuar në të gjithë botën. Patjetër që shërbimi duhet të modernizohet. Të shkojmë drejt një pulle digjitale që të jetë më pak e kushtueshme dhe më e kontrollueshme”, tha Braçe në Kuvend teksa mbështeti idenë e shtetëzimit të këtyre shërbimeve.

Deputeti Braçe tregoi dhe rezervat e tij për Kontrollin e Lartë të Shtetit lidhur me kontratat koncesionare, specifikisht atë atë markimit të karburanteve dhe atë të pullave fiskale.

“I kam kërkuar KLSH-së që të monitoronte zbatimin e kontratave. Nuk ka fatura që të provojnë investimin. Dhe 66 % e vlerës së investimit parashikuar në kontratë është deklaruar si e kryer. Pra pasi na kanë marrë 55 milionë euro tani nuk po na lënë asgjë, sepse markimi i karburantit bëhej me dorë e shkundje të autobotit dhe ne nuk kemi asgjë për të marrë në dorëzim.

E njëjta histori është dhe tek pullat fiskale. Ka pasur detyrimin kontraktual të ndërtonte një sistem gjurmimi që të dinim që mallin e akcizës që është markuar me pullë ku shkon e ta kontrollonim qarkullimin e tij. Asnjëra as tjetra nuk ka ndodhur. Ama ka ndodhur që qytetarët kanë paguar 100 mln euro për koncesione. Të dyja këto koncesione mbarojnë këtu e merren përsipër nga qeveria. Siç kishim thënë në 2012, që janë shërbime që duhet të ofrohen nga qeveria sa kohë që kanë të bëjnë me mirëadministrimin e produkteve të akcizës dhe karburantit e përfitues të ishte qeveria. Për markimin nuk do të ketë më kosto për litër, kurse për pullat fiskale do të ketë zbritje të çmimit”, kritikoi deputeti socialist.

Ministri i Financave, Ervin Mete njoftoi se nga gushti, karburantit do t’i hiqet përfundimisht taksa e markimit. Sipas kontratës me koncesionarin GFI Albania, taksa e markimit ishte 1 lekë për çdo litër karburant.

Mete rikujtoi se dhe kostot e pullave fiskale do të ulen, pasi në janar 2025 do të merren nga shteti dhe do të prodhohen nga Shtyshkronja e Letrave me Vlerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë