Politike

Braçe përplaset me Arben Pëllumbin te paneli i bujqësisë: Nuk më ndalon dot që të flas

Ftesa e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bërë në panelin e diskutimit për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore u mirëprit nga deputeti socialist, Erion Braçe.

Braçe mori fjalën në momentin që paneli po moderohej nga kolegu i tij, Arben Pëllumbi.

Ai përsëriti shqetësimet e ngritura edhe më herët në Kuvend për gjendjen e bujqësisë dhe të fshatit, që sipas tij është në një regjim fiskal të pafavorshëm.

“Ne kemi një regjim fiskal që nuk e do fshatin. Kemi tarifa doganore zero, kemi tarifa doganore të rritura. Kemi TVSH zero, TVSH 10 për qind, diku 6 për qind dhe diku 20 për qind. Ky regjim nuk u jep mundësi bujqëve të rrisin prodhimin, sepse përpunuesit nuk kanë asnjë interes që të humbasin 20 lek në çdo 100 lek prodhim dhe ky është një problem shumë i madh”, tha Braçe.

Ai kërkoi që të veprohet tani, sepse siç tha, pas një viti do të jetë shumë vonë.

Gjatë fjalës së Braçes, Arben Pëllumbi ndërhyu disa herë duke i kërkuar që të përmblidhte fjalimin me arsyetimin se kishte shumë të tjerë për të folur. Braçe e mori si përpjekje për të mos e lënë që të flasë.

“Tani ti do që unë të mos flas?! Kjo nuk ka ndodhur Ben (Arben Pëllumbi), nuk ka ndodhur që nga 1990-ta”, tha Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë