Ekonomi

Braçe në Komision: Kur nis mbështetja? Familjet dhe fermerët kanë 3 muaj pa ndihmë

Nga Gazeta 'SI' - Deputeti socialist, Erion Braçe nisi me kritika sesionin e ri të Komisionit të Ekonomisë, për ndihmën e munguar për shtresat e goditura nga kriza dhe fermerët.

“Kur do nisë mbështetja për shtresat që ka goditur kriza? Janë të moshuarit, të varfërit. Për tre muaj ata nuk kanë marrë asgjë, dhe 4 muaj kanë ngelur. Ku do ta marri mbështetjen? Çfarë do të marrin? A do të jetë e njëjta paketë? Edhe si tipologji, edhe si sasi?”, - iu drejtua deputeti Braçe, ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Ai përmendi se fermerët nuk kanë marrë asnjë gram naftë  nga skema e qeverisë që prej dy muajsh dhe paralajmëroi që nëse ajo nuk shpërndahet tani që nis periudha e plugimit në toka, “harrojeni pranverën e vitit të ardhshëm.”

Deputeti socialist, ngriti po ashtu edhe pyetjen se nga ku do të vijnë 30 mld lekë të ardhura deri në fund të vitit, referuar fjalisë së vetë ministres. Braçe tha se kjo nuk mund të jetë shumë e sigurtë sepse muajt e ngelur janë të vështirë dhe se njerëzit po kursejnë.

Në fund, deputeti e pyeti ministren se si parashikohet inflacioni dhe ndikimin që do të ketë më tej tek çmimet e prodhimi dhe tek të punësuarit me paga.

Në përgjigje të pyetjeve të deputeti Braçe, ministrja Ibrahimaj tha se paketa ekonomike do të shpallet për pak ditë dhe se do të zgjasë më shumë se e para.

“Ne jemi duke hartuar një paketë e re që do të shpallet për pak ditë. Kushtet e paketës së parë ishin ndryshe. Në mars kishte pasiguri të lartë ndaj krizës. Morëm masa ad-hoc. Prisnim përmirësim të inflacionit. Kjo nuk ndodhi”, - tha ministrja, pa dhënë më shumë detaje.

Ministrja u shpreh se ka siguri për të ardhura të larta për shkak të aktivitetit ekonomik. Sipas shifrave që ajo raportoi, nga 53.4 mld lekë suficit, 20 mld lekë kanë ardhur nga rritja e çmimeve dhe ndikimi i kursit të këmbimit dhe 33.4 mld lekë nga rritja ekonomike dhe politikat fiskale.

“Seri në fund të vitit do të kemi një deficit prej 4.2%. Do të rialokohen paratë e suficitit. Në rishikimin e buxhetit, pjesa më e madhe ka shkuar për informalizimin, për AKSHIN, që ka pasur nevoja emergjente.”

Për pyetjen mbi parashikimin e inflacionit, Ibrahimaj tha se masat e marra e kanë amortizuar rritjen e inflacionit, por se kostot e prodhimit do të rriten dhe kjo për shkak të inflacionit të importuar, që është 60%.

Lidhur me hezitimin e ministres së Ekonomisë për të treguar detaje mbi paketën e dytë anti-krizë, deputeti i PS-së, i rikujtoi se ata janë në një komision Ekonomie të Kuvendit dhe se deputetët nuk mund ta marrin vesh nga një lajm televizoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë