Politike

Braçe kërkon ministren Sala në Kuvend: Jemi në pikun e gripit, qendra shëndetësore në Njësinë 5 nuk funksionon

Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur në Kuvend një shqetësim për mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë 5 në Tiranë. Braçe tha se ka kërkuar një mocion me debat me ministren e Shëndetësisë Evis Sala, por ende nuk është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Braçe deklaroi në Parlament se edhe pse jemi në pikun e periudhës së grupit mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale. Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu i tha se mocioni me debat është parashikuar për javën e ardhshme.

“Që në datën 19 kam paraqitur një kërkesë për një proces pyetje përgjigje për ministren e Shëndetësisë. Ka të bëjë për mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë 5 në zonën e Irfan Tominit. Mendova se ishte momenti i duhur për të marrë një përgjigje pas 4 muajsh. Jemi në pikun e periudhës së gripit, mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale për shëndetin e tyre. Kërkesën për pyetje e kam paraqitur më 19 janar, sot jemi më datën 3 shkurt. Mendoja se do ishte shqetësim edhe i vetë ministres për të kthyer përgjigje. Po futemi në muajin e 5 për shërbim shëndetësor të kufizuar në qendrën shëndetësore në zonën e Irfan Tominit”, tha Braçe. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë