Politike

Braçe akuzon “kartelet”: Po diktojnë çmimet e plehrave kimike dhe të fruta-perimeve. Të rinjtë po braktisin bujqësinë

Erion Braçe akuzoi se përmes një ligji dhe udhëzimeve të nxjerra ndër vite, Ministria e Bujqësisë ka krijuar një monopol në tregun e importimit të plehrave kimike, duke rritur kostot e këtyre produkteve për fermerët.

“Ligji duket pa barriera dhe kufizime, por nenet me kundërthënie bëhen të mëdha për të mbështetur një grusht oligarkësh për tregtinë e plerave kimike. Ligji thotë se nuk duhet leje e posaçme për të importuar plehra kimike në Shqipëri, por flet edhe për përfaqësuesin e autorizuar, që janë persona juridikë. Pra, nga parimi i përgjithshëm që importues mund të jetë kushdo, vijmë te përfaqësuesi i autorizuar”, tha Braçe.

Deputeti socialist thotë se monopoli përforcohet nga një urdhër i ministrit. “Jepet ekskluzivitet për plehrat kimike nga 4 deri në 7 vjeç. Udhëzimet e kufizojnë lirinë duke njohur ekskluzivitete”, tha ai.

Më tej, Braçe citoi një raport të Autoritetit të Konkurrencës, i bërë në mars të vitit të kaluar ku është monitoruar tregu për 2020 dhe tre muajt e parë të 2021. Raporti, tha ai, vëren një koordinim mes tre kompanive kryesore në tregun e importit të plehrave kimike.

“Shitja e integruar thotë Autoriteti i Konkurrencës. Kompanitë ndjekin njëra-tjetrën për shkak të zotërimit të tregut”, deklaroi Braçe.

Një tjetër shqetësim që ngriti Braçe ishte deformimi i zinxhirit të shitjes së fruta-perimeve, që ka bërë që fitimet më të mëdha nga shitja të shkojnë për tregtarët. Sipas deputetit socialist, tregu diktohet nga karteli i grumbulluesve.

“E para ka të bëjë me kartelin e grumbulluesve që ka zaptuar tregun. Gjatë kohës që domatja del me 65 lek dhe shitet me 250 lek këtu në Tiranë ky është problem. Në rast se grumbulluesit taposin tregun me çmime të larta, ne do të blejmë më pak dhe produktet do mbeten në serrë. Çdo shitje nga serra dhe deri atje matanë është informale. Nuk ka një faturë të formalizuar që të shoqërojë gjithë zinxhirin e shpërndarjes. Nga 60 lekë -250 lek e detyron konsumatorin të ulë konsumin dhe prodhimi mbetet në serra. Këtu shitet me 250 lek domatja dhe njerëzit atje nuk marrin lek”, tha ai.

Mungesa e fitimit, sipas ish-zv.Kryeministrit po largon të rinjtë nga bujqësia. “Humbja e krahut të ri të punës është problem shumë i madh, se të rinjtë po ikin në Mal të Zi të punojnë me 40 euro atje në ndërtim”, tha ai.

Ministrja Krifca u përgjigj për çështjen e importit të plehrave duke thënë se në Shqipëri figurojnë të regjistruar mbi 90 kompani importuese të tyre, ndërsa për shqetësimin mbi rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore nga tregtarët e njohu si problematikë, por u shpreh se Ministria e Bujqësisë nuk mund të ndërhyjë.

“Është e vërtetë që tregtarët fitojnë më shumë se fermerët sot, por ky është një treg i lirë dhe ne nuk mund të ndërhyjmë. Ky është një problem edhe në vendet me bujqësi më të zhvilluar se ne, por këtu është më i theksuar për shkak të parcelizimit të madh të tokës bujqësore”, tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë